Këshilli i Ministrave vendosi të heqë TVSH-në për çimenton dhe çelikun, për përdorim në ndërtimin e hidrocentraleve. Duke prezantuar këtë masë të re, Kryeministri Berisha tha se qeveria e konsideron atë, një stimul, për të nxitur investimet në sektorin e prodhimit të energjisë ujore, duke ulur kostot për ndërtimin e veprave energjetike dhe prodhimit të energjisë elektrike.
“Duke e potencuar e duke shumëfishuar prodhimin e energjisë elektrike nga burimet ujore, ne bëjmë që shqiptarët të mund të furnizohen me energji me kostot më të ulëta, se të gjithë të tjerët që e prodhojnë atë nga burime të tjera energjetike”, - tha Kryeministri, duke ritheksuar se në këtë sektor, qeveria ka firmosur me kompani private, koncesione, me vlerë investimi mbi 3.2 miliardë euro, për ndërtimin e 443 hidrocentraleve.
Gjithashtu, qeveria ka pasur parasysh impaktin në krijimit të vendeve të punës në të gjitha zonat e vendit, si interesi jetik i qytetarëve. “Gjeografia e tyre [HEC-eve], nga juglindja në verilindje, - tha Kryeministri - shtrihet pothuajse në tërësi në zonat kodrinore e malore të vendit, shtrihet në zonat më të thella dhe krijon në këtë mënyrë, mundësi punësimi në çdo skaj të vendit.”
Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha njoftoi heqjen e TVSH-së për importin e makinerive. Të gërshetuara këto dy masa, në rrafsh më të gjerë, në kontekstin e projektit të qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon, synojnë të inkurajojnë investitorët për përdorimin e fondeve financiare në burimet energjetike shqiptare.