English

Zhvendosja e Kazinove. "Potere" në Këshillin Bashkiak të Tiranës

Këshilli bashkiak i Tiranës ka kaluar vetëm me 28 votat e mazhorancës, projektin lidhur me zhvendosjen e kazinove në periferi të Tiranës dhe pikërisht në zonën e ish autotraktorëve.

Por situata në të cilën kaloi proçesi i votimit të projektit nuk ishte aspak e qetë madje përfundoi me hedhje të kartonave të votimit drejt kryetarit Basha nga ana e grupit të socialistëve.
Shkak pakënaqësie, siç u shpreh kreu i grupit socialist, Aldrin Dalipi, nuk qe subjekti i diskutimit, por trajtimi prej administratës së Bashës të këshilltarëve të Opozitës.

“Jemi kundër kazinove, nuk qenkan mbyllur që të gjitha! Por jo të na dërgoni katër minuta para mbledhjes mesazhe, se anulohet mbledhja e Këshillit Bashkiak e të mos na lënë të futemi apo të mos mblidhemi 3 muaj rresht. Jemi gati të diskutojmë për çdo gjë”, thotë Aldrin Dalipi. Ndërkohë, Basha i është kundërpërgjigjur me: “Nuk kam asnjë të dhënë, që një punonjës i administratës bashkiake ka ndaluar ndokënd, se dikush është ndaluar të futet, duke shkelur ligjet. Çdo pretendim se ka ndodhur diçka e tillë do të hetohet.”
Më tej kryetari i Bashkisë Basha ka vazhduar:
“E papranueshme për mua, që përdorimi i kësaj industrie të vërë në çark shtresat në nevojë. Qëllimi ynë është të mos deprimojmë asnjë për të luajtur në lojërat e fatit, por për ata që paratë për ushqimet, medikamentet të mos i shpenzojnë në kazinotë që gjenden te hyrja e shtëpisë së tyre. Ne këtë duam ta bëjmë të vështirë, të pamundur. Procesi do të organizohet në dy hapa”.

1- Me një taksë të veçantë të përkohshme, i cili do të vendoset për të gjitha kazionotë që shtrihen në territorin e Tiranës dhe pas 6 muajsh do të 10- fishohen nëse kazinotë nuk pranojnë të vendosen në vendet e caktuara.

2- Përcaktimi i kësaj zone është menduar në zonën e autotraktorëve, duke qenë të hapur që ta përcaktojmë edhe zona të tjera.
Më pas kanë folur edhe përfaqsues të tjerë si Shezai Rrokaj që në emër të LSI u shpreh: “Nëse ka ndodhur një incident nga një punonjës i bashkisë, zoti kryetar nxirrni problemin, sepse këshilltarët nuk duhen ndaluar. E përkrahim këtë nismë të bashkisë, madje është e vonuar. Është në nderin e këtij këshilli të shprehet në një zhvendosje racionale, pa cenuar bizneset, se ne bëjmë politikë kundër dukurisë, jo kundër biznesit. Ku fëmijët, të rinjtë edhe nga dëshpërimi, sepse është një para e dëshpëruar. Por t’iu lihet kohë bizneseve, mund të biem në një kompromis me ta, pasi ata i dëgjuam dhe kishin disa vërejtje. Politika e kësaj bashkie duhet të shkojë sipas metropoleve që i vendosin në vende të caktuara. Nuk i detyrojmë të largohen me forcë, por i shtrëngon. Këshilltarët e LSI-së do të votojnë pozitivisht”.

Më pas kryetari Basha u shpreh se ishte dakord me shtyrjen me 2 muaj kohë të proçesit, ndërkohë që masa e parë është 1 janari, ndërsa 30 qershori masa e dytë.

KOMENTE