Kuvendi nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli është mbledhur sot ku si çështje kryesore ishte zgjedhja e krytarit të ri të KQZ-së dhe anëtarëve të tij.
Në hapje të seancës, Kryetarja e Kuvendit uroi të gjithë deputetët dhe, nëpërmjet tyre, të gjithë shqiptarët për propozimin e Komisionit Europian për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
“Si Kryetare e Kuvendit më lejoni që të falenderoj të gjithë ata deputetë, cilët gjatë kësaj periudhe kanë ndihmuar duke bërë të mundur që të kalojnë reforma legjislative politike shumë të rëndëishme që kanë bërë të mundur që ne të marrim lajmin e mirë të rekomandimit të statusit të vendit kandidat. Dje ishte një ditë e bukur, sot është një ditë e bukur. Ne shqiptarët jemi evropianë dhe e meritojmë një gjë të tillë,” tha zonja Jozefina Topalli.
Rekomandimi i Komisionit Europian për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian u përshëndet edhe nga Kryeministri, zoti Sali Berisha, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi.
Pas njoftimit për miratimin me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve të Kalendarit Trejavor të Punimeve seanca vijoi punimet me shqyrtimin e projektligjeve të tjera të parashikuara në rendin e ditës.
Kështu, Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë kundrejt Republikës së Maqedonisë, lidhur me shlyerjen e shumave në llogarinë e shkëmbimit të mallrave ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë”; projektligjin “Për ratifikimin e kontratës për dhënien në përdorim, në formën e huapërdorjes, me çmimin 1 Euro, të një pjese të truallit të ndërmarrjes së qymyrit Valias, Kamëz, me sipërfaqe të përgjithshme 87.587 metër katror, lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Shoqërisë “The American International School System-Albania” (AISS)” dhe projektligjin “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”.
Në vijim Kuvendi votoi për kandidatët Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni, Albana Shtylla, Denar Biba, Ilirjan Muho dhe Jano Jani si anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Po sot, deputetët miratuan me shumicë votash kandidaturën e zonjës Lefterie Lleshi, si kryetare e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.