Për të parë ecurinë e proçeseve të punës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka vizituar dje Trustin Pensional të Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i kuvendit Krasniqi u prit nga kryetari i bordit, Ymer Havolli, anëtari i bordit të TPK-së, Ejup Qerimi, si dhe drejtori menaxhues i këtij institucioni, Ardian Zalli.
Duke falënderuar kreun e Kuvendit për vizitën që i bëri këtij institucioni, Ymer Havolli, fillimisht tha se kontributi i njerëzve dhe i fondit në përgjithësi është vlerësuar në mënyrë reale, ndërsa shtoi se Trusti ka filluar të funksionojë dhe të ecë mbarë edhe drejt zhvillimit të tregut financiar në Kosovë, duke përmendur investimin dhe blerjen e letrave me vlerë,
"Për 9 muaj kemi shënuar përfomancë jashtëzakonisht të mirë, meqë Trusti brenda këtyre muajve ka realizuar 40 milionë euro kthim nga investimet", theksoi Havolli, duke shtuar se Trusti tashmë është një institucion i stabilizuar.
Duke përmendur faktin se ata çdo muaj i raportojnë Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe duke folur për raportimin në Komisionin për Buxhet dhe Financa, përfaqësues të Trustit më tej sqaruan para kreut të Kuvendit se aktualisht kanë 251 mijë kontribuues aktiv, si dhe 400 mijë kontribuues pasiv, ndërsa theksuan se deri më tani janë paguar 24 milionë pensione.
Më tej u theksua se në mënyrë të vazhdueshme është duke u rritur masa e kursimeve dhe se kjo dëshmon ikjen nga ekonomia joformale.
Kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, gjatë diskutimit të tij tha se vizita e tij në këtë institucion është me qëllim të njohjes për së afërmi me punën e Trustit. "Puna e Trustit është e madhe, e ndërlikuar dhe fisnike", tha kryekuvendari Krasniqi.
Duke përgëzuar përfaqësuesit e Trustit për punën dhe sukseset e deritanishme që ata kanë shënuar, kreu i Kuvendit tha se insistucioni të cilin e përfaqëson ai do të vazhdojë të mbështesë TPK-në, duke sugjeruar më tej që të vazhdojnë të kenë takime të rregullta dhe bashkëpunim sa më të ngushtë me komisionet parlamentare.
Duke folur për operimin e tregut financiar në Kosovë, kreu i Kuvendit tha se në të ardhmen do të ishte mirë që 50 për qind e këtyre mjeteve të jenë në Kosovë. Më tej ai shtoi se Trusti duhet të jetë i kujdesshëm në menaxhimin e mjeteve të kontribuuesve. "Kur kontribuesi ndjehet mirë, paqja sociale është më e ngritur", tha kreu i Kuvendit, duke shtuar se duhet që të ketë lëvizje dhe një trend më pozitiv, si dhe menaxhim sa më të mirë të mjeteve financiare.
Kryetari i Kuvendit i bëri një vizitë edhe stafit të Trustit Pensional të Kosovës.