Tashmë frika e infektimit prej Greqisë, e krizës financiare për vendet e vogla dhe të dobëta të Ballkanit ka çuar në një takim tepër të rëndësishëm të institucioneve më të larta financiare të botës.
Banka Botërore, FMN, BERZH dhe Banka Europiane e investimeve, këtë fundjavë ditën e dielë, do të kenë një takim në Tokio për të diskutuar mbajtjen larg për këto vende nga infektimi i krizës greke.
Plani urgjent i shpëtimit me vlerë 15 miliardë euro, përfshin Shqipërinë, Rumaninë, Slloveninë, Serbinë dhe Maqedoninë.
Erik Berglof, presidenti i EBRD-së thekson se ky plan do të jetë një përpjekje e madhe për të ndihmuar këto vende që janë mjaft të ekspozuara ndaj krizës greke.
Sipas Berglof shumë prej tyre janë në nevoja urgjente. "The Times" zbulon se plani që do të diskutohet nga huadhënësit parashikon ndihmë si për bankat e këtyre vendeve po ashtu edhe për qeveritë. Shenjat e para të një angazhimi më të madh të donatorëve kanë ardhur edhe zyrtarisht. Pak ditë më parë Xhejn Ermitixh, drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore tha në një intervistë për Top Channel se banka do të dyfishojë fondet për Shqipërinë në katër vitet e ardhshme për të ndihmuar ekonominë të përballet me krizën.