Ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca, ka lënë spitalin e Tiranës dhe është dërguar për kurim në Athinë, Greqi për mjekim më të specializuar.
Gjergj Ndreca para disa ditësh tentoi të vetëdigjej në çadrat ku grevistët janë ngujuar në grevë dhe vetëm dy ditë më pas shembulli i tij është ndjekur dhe nga kolegu i tij i grevës Lorik Bejko i cili gjendet i shtruar në QSUT me 50 përqind djegie në trup dhe po mbrëmjen e djeshme ka tentuar të njëjtin veprim Gani Aliaj i dënuar me 20 vjet burg, i cili shpëtoi në sajë të ndërhyrjes së menjëhershme të policisë që e ndaluan këtë akt.
Më parë burime nga Partia Socialiste kishin thënë se vetë kryetari Rama, është interesuar gjatë ditës për mundësinë e kurimit të dy ish të përndjekurve grevistë jashtë Shqipërisë.
Përfaqësuesja e PS-së Keti Bazhdari në një prononcim për mediat i bëri sërish apel qeverisë të negociojë me ish-të përndjekurit politikë të cilët ndodhen në grevë urie për të bërë të mundur zgjidhjen e situatës së krijuar.
“Qeveria nuk duhet të tregohet rraciste dhe duket të kuptojë që kjo është një grevë ekonomike dhe jo politike. I bëjmë apel qeverisë të negociojë me ish-të burgosurit politik që të mos shohim më akte të tilla” theksoi Bazhdari.