English

Imami: Batalioni i Motorizuar dhe Forcat Speciale, fokusi kryesor i ministrisë

Dje në Bruksel janë mbledhur në takimin e radhës të gjithë Ministrat e e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Implementimi i Paketës së Mbrojtjes miratuar në Çikago, planifikimi i përbashkët i Aleancës dhe statusi i Forcave Nukleare, Afganistani dhe procesi i tranzicionit atje, çështja e Kosovës dhe prezenca e KFOR, ishin pjesë e agjendës së këtij ministeriali.

Aleanca shprehu angazhimin për të vazhduar prezencën në Kosovë. Situata e sigurisë në Kosovë vlerësohet e qetë, por e brishtë në veri të saj. Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami theksoi faktin se faktor për destabilitetin në veriun e Kosovës mbeten strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi. Ai u shpreh se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të ndërtimit të një shteti demokratik, gjithëpërfshirës, ku respektohen përkatësitë e ndryshme etnike. Ministri Imami shprehu qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, vendosur mbi baza reciprociteti.

Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, u shpreh për mediat se, Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend model përsa i përket realizimit të detyrimeve të Aleancës, duke vijuar kontributin e saj në operacionet e NATO. Ai theksoi faktin se rezultati i reformave të ndërmarra në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë ka bërë të mundur rritjen e kontributeve që vendi ynë jep në kuadër të Aleancës, gjë që reflektohet veçanërisht në kontributin tonë në teatrin e operacioneve në Afganistan. “Forcat tona të Armatosura bëjnë një punë të shkëlqyer në misionin ISAF në Afganistan, - ka nënvizuar zoti Imami.- Kjo është një e vërtetë e njohur tashmë nga të gjithë partnerët tanë të NATO dhe nga kjo pikëpamje, kjo është lavdia e ushtrisë sonë, sepse është e para Combat Force, e para forcë luftimi që nxjerr Shqipëria dhe e ka kryer detyrën me nder, me lavdi dhe ka bërë edhe sakrificat e saj sublime, siç është rasti i kapiten Feti Voglit”.

Më tej, ministri Imami është shprehur se, fokusi kryesor për vitet e ardhshme, krahas detyrimeve të tjera që kemi, do të mbetet Batalioni i Motorizuar dhe Forcat Speciale. Për Batalionin e Këmbësorisë së Motorizuar jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes së Italisë dhe Forcat e Armatosura të Italisë. Kjo ishte një nga temat themelore që diskutova edhe me ministrin Di Paola, çka do të bëjë të mundur që ta kemi të qartë se çfarë kostoje kanë, çfarë mund të planizojmë dhe si duhet ta planizojmë këtë Batalion të Këmbësorisë së Motorizuar.
Ministri i Mbrojtjes, z Arben Imami zhvilloi edhe disa takime bilaterale përgjatë kohës së zhvillimit të ministerialit. Takimi me ministrin e Mbrojtjes të Italisë, z. Giampaolo Di Paola, u fokusua tek bashkëpunimi ushtarak ndërmjet dy vendeve si në kuadër të Aleancës, po ashtu edhe mbi baza bilaterale. Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin dhe ndihmën që po jep Italia në kuadër të ndërtimit të Batalionit të Motorizuar, asistencën e vazhdueshme të qeverisë italiane për arsimimin dhe trajnimin e ushtarakëve shqiptarë, operacionet e përbashkëta të trupave tanë në Afganistan dhe në teatro të tjerë operacionalë.
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, z. Ismet Yilmaz, ku u diskutua rreth marrëdhënieve të shkëlqyera ushtarake që ekzistojnë ndërmjet dy ministrive dhe forcave tona të armatosura. Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shprehu qëndrimin e qeverisë shqiptare në mbështetje të plotë të Turqisë, pas sulmit të forcave të regjimit sirian në brendësi të territorit turk. Më tej, dy homologët biseduan rreth bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në kuadër të Aleancës, për të bashkërenduar punën në shumë projekte të rëndësishme në interes dypalësh dhe të Aleancës.
Gjatë punimeve të ministerialit, ministri Imami zhvilloi takime të shkurtra edhe me ministra të tjerë të vendeve anëtare të Aleancës, ku shkëmbeu pikëpamjet dhe qëndrimet e Shqipërisë për shumë çështje me rëndësi të madhe për Aleancën dhe vendet e tjera partnere.

KOMENTE