English

Berisha në Peshkopi: Arsimi privat ështe një arritje e madhe për Shqipërinë.

Por kryeministri Berisha përveç pjesëmarrjes në panairin “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi, i ftuar nga rektorati i Universitetit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, ishte i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të parë të këtij universiteti, në filialin e tij në Peshkopi. Kjo ceremoni u shoqërua edhe inaugurimin e rikonstruksionit të godinës së universitetit, i vendosur në qendër të qytetit, me financim të buxhetit të shtetit me vlerë 75 milionë lekë.

Në përshëndetjen drejtuar studentëve me këtë rast, Kryeministri Berisha i uroi për diplomimin, duke e cilësuar këtë momentin më të bukur e të rëndësishme të jetës, kurorëzim i ëndrrës rinore dhe i përkushtimit të prindërve.

Në fjalën e tij, Kryeministri, pasi nënvizoi disa nga arritjet themelore në arsimin e lartë në Shqipëri, si një bazë e mirë për të çuar përpara këtë sistem, u ndal në sfidat kryesore për të ardhmen e arsimit të lartë. Shqipëria e dijes dhe cilësia në arsim, tha Kryeministri, janë qëllimet kryesore në këtë fazë të zhvillimit të arsimit në vend. Kryeministri theksoi edhe rishikimin e mekanizmit të sistemit të provimeve, duke aplikuar praktikat më efikasi në këtë aspekt, si ai i kontrollit të dyfishtë të tyre, nga dy grupe të pavarura.

Kryeministri e konsideroi të shëndetshëm për zhvillimin e arsimit debatin që zhvillohet sot mbi politikat e qeverisë në lidhje me arsimin e lartë në tërësi, publik dhe privat. Kryeministri e mbrojti politikën e dyerve të hapura të shkollës së lartë, përkundër zërave kritikë, si një politikë që përputhet me interesin më të mirë kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. “Kudo, ku hapim degë të universiteteve, ne konstatojmë se ato mbushen me shpejtësi. Tre vjet më parë, ne e hapëm në Berat dhe tani atje janë 4500 studentë. E hapëm këtu, në Peshkopi, me 400 studentë dhe tani kemi 2500 studentë. E nisëm këtë politikë me 52 mijë studentë në shkallë vendi dhe sot kemi 162 mijë studentë,” – tha Kryeministri, duke e cilësuar “qëndrim arkaik”, zhvlerësimin apriori të masivizimit të shkollës së lartë.

Ndërsa siguroi për inkurajimin e zhvillimit të arsimit të lartë privat, si një mekanizëm efikas, krahas buxhetit publik, për mobilizimin e fondeve për zhvillimin e arsimit. “Në çdo vend të botës, , - tha Kryeministri - sektori privat është shumë e shumë herë më i fuqishëm, sesa sektori publik. Në arsimin e lartë privat studiojnë sot, 32 mijë studentë, aq sa kishte studentë Shqipëria në vitin 2001. Rreth 21 përqind e nevojave të shkollimit të lartë përballohen nga arsimi privat. Unë ju garantoj se kjo ishte një arritje e madhe për Shqipërinë.”

Kryeministri ndau me studentët edhe gëzimin e rekomandimit nga Komisioni Europian të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe ide mbi rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.

KOMENTE