English

Ekstradohet nga Milano shqiptari Ylber Filip Kola

Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ditën e djeshme, rreth orës 17.30, u krye ekstradimi nga Milano, Itali, drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ylber Filip Kola, vjeç 24, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.235, datë 28.03.2011, ka lëshuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 78, 22,25 dhe 278/2 i Kodit Penal.

Shtetasi Ylber Kola akuzohet se më datë 28.12.2010, në fshatin Rrushkull, Sukth, pas një konflikti të momentit, ka qëlluar me armë zjarri duke plagosur rëndë shtetasin A.U.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur më datë 26.08.2012, në Itali, arrestimi i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas shtetasi i mësipërm i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

KOMENTE