English

Balla: Pronë tjetër që dëshmon batërdinë e Ministrit Imami

Vazhdon denoncimi nga ana e dputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla, lidhur me pronat e ushtrisë shqiptare.
Ai sot ka qenë në Vlorë për të inspektuar nga afër një tjetër pronë të ushtrisë e cila është çuar tek Ministria e Ekonomisë për privatizim, Aerodromi Ushtarak në Vlorë. Deputeti Balla tha se nga vetë dokumentacioni që i ka dhënë Ministri Imami, 302.400 metra katrorë të kësaj prone janë nxjerrë në shitje.

“Sot po ju tregojmë një pronë tjetër që dëshmon batërdinë e Ministrit të Mbrojtjes me pronat e ushtrisë. Kjo pronë, që dikur ishte aerodromi i ushtrisë në Vlorë ka një sipërfaqe marramendëse, 302.400 metra katrorë, të cilën Arben Imami tashmë e ka bërë gati për ta shitur sipas vetë dokumentacionit që na vënë në dispozicion, ku tregohet sipërfaqja dhe komunikimi me Ministrinë e Ekonomisë për të filluar procedurën e shitjes”.

Duke patur parasysh shtrirjen e madhe të kësaj prone, brenda vijës së verdhë të Bashkisë Vlorë, Balla ka theksuar se pronat publike duhet të marrin parasysh nevojat e komuniteteve që i rrethojnë dhe mirëqenien e tyre. Nisur edhe nga vendndodhja brenda vijës së verdhë të qytetit kjo sipërfaqe mund të shërbente për institucione të rëndësishme sociale, të cilat do ti shërbenin më së miri komunitetit të zonës. “Në fakt për këtë pronë nuk kishte pse të fillonte procedura e shitjes, përkundrazi, për këtë pronë kaq të madhe, pothuajse në një prej zonave më të rëndësishme për zhvillim në qytetin e Vlorës, duhej të ishte vënë në dispozicion të këtij komuniteti lokal që rrethon këtë pronë. Për të ngritur këtu institucione të jetës sociale të çdo komuniteti, këtu ka nevojë për një shkollë, një qendër shëndetësore, ka nevojë për qendra të trajtimit të moshave të treta, ka nevojë për ambiente në dispozicion të kohës së lirë, fusha futbolli e të tjera me radhë”.

Deputeti Balla ka ndaluar edhe tek një prej problemeve kryesore që është vërejtur deri tani me këto privatizimet, mungesën e bashkëpunimit midis pushtetit qendror dhe lokal për atë që bëhet me pronat e shtetit. Edhe pse Bashkia e Vlorës ka një studim për këtë zonë, sesi ta kthejë atë në shërbim të komuniteti, kjo nuk është marrë parasysh nga ministri Imami, është shprehur deputeti socialist. “Më lejoni që të sjell para jush tani këtë studim të Bashkisë Vlorë e cila prej kohësh e ka përcaktuar këtë zonë prej 302.400 mijë metra katrorë për ngritjen e mjediseve të përmendura më sipër. Pra studim për infrastrukturën rrugore të kësaj zone, për ngritjen e shkollave, qendrave shëndetësore e kopshteve, por edhe mjediseve në shërbim të komunitetit që rrethon këtë vend. Por edhe ky propozim i Bashkisë Vlorë dhe nevojat e komunitetit rreth kësaj zone nuk janë marrë fare parasysh nga Arben Imami sepse interesi i tij është që të shesë çdo ditë pronat që ushtria ka, për qëllime tërësisht klienteliste”.

Kompleksi i aerodromit ushtarak në Vlorë me pistën dhe baterinë kundërajrore, prej 12,000 metrash katrorë, gjenden të dyja pranë rrugës Trans-Ballkanike dhe janë nxjerrë për privatizim pavarësisht se në planin rregullues të qytetit, i cili është miratuar nga Këshilli Bashkiak por që ende nuk ka marrë miratimin nga KRTRSH, janë përcaktuar si hapësira të gjelbra dhe park.

KOMENTE