Nesër në Shkup do të luhet ndeshja Maqedoni-Serbi e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2014.
Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka ndërmarë masa të forta për të siguruar rendin dhe qetësinë si dhe shmangien nga ndonjë incident i mundshëm me bazë raciste.
Por lidhur me ndeshjen e nesërme janë përhapur dhe fjalët e huliganëve serbë të cilët janë shprehur se do t'i qërojnë shqiptarët.
"“Po përgatisim një surprizë të madhe për shqiptarët në Shkup. Shumë mirë, pastaj do të na mbajnë mend. Qëllimi është që t'i gjuajmë nëpër qytet dhe t'i rrahim. Ne shkojmë atje përmes një nisme private, e jo të organizuar dhe mendojmë se do të jemi në Shkup pa problem”, kanë shkruar huliganët serbë për mediat beogradase.
Ata shprehen se do të jenë të përkrahur edhe nga tifozët maqedonas të Crvena Zvezdës dhe Partizanit, bën të ditur gazeta serbe “Kurir”. Huliganët, që kanë paralajmëruar dhunë, i përkasin dy grupeve më të mëdha të tifozëve: “Delije” dhe “Grobari”.
Lidhur nga këto parrulla të hedhura nëpër media, Ministria e brendshme maqedonase ka patur takim dhe me Federatën e Futbollit, duke bërë të ditur se ndeshja e nesërme është klasifikuar si ndeshja me rrezik më të lartë.
Që sot Shkupi do të jetë nën kontroll, në çdo cep si dhe janë lajmëruar qytetarët që të kenë kujdes sidomos në rrugët që të çojnë drejt stadiumit Filip II" ku do të zhvillohet ndeshja.