English

Intervista e plotë e 80 vjeçarit që preu kokën e vajzës nga Durrësi

Intervista e plotë e realizuar nga Top-Channel rreth 80-vjeçarit që vrau studenten e vitit të parë dega infermieri:

I moshuari ka hapur gojën dhe ka rrëfyer se abuzonte prej vitesh me viktimën, duke befasuar me gjakftohtësinë e rrëfimit. Ai ka deklaruar se kishte më shumë se katër vite që abuzonte me viktimën, që kur vajza ndiqte ende arsimin 9-vjeçar.

Në rrëfimin e tij, Norja ka thënë se në atë kohë e kishte përdhunuar atë, por më pas Ajshe Vata shkonte me dëshirë për të kryer marrëdhënie seksuale me të. “Unë jam babai i fëmijës së saj. Kur më tha që është me barrë, nuk e besova, pastaj i kërkova menjëherë të hiqte fëmijën, por ajo kundërshtonte. Nuk donte. ‘Më mirë më vrit se të heq fëmijën’”.

Një rrëfim ngjethës dhe që ka llahtarisur marrësit e dëshmisë me ftohtësinë e rrëfimit, nga i cili rezulton se viktima ia ka sugjeruar vetë mënyrën e vrasjes: “Në fillim e kam marrë me dhunë, pastaj ajo vinte vetë. Unë kam pasur marrëdhënie edhe me gra të tjera në lagje. Ajshja erdhi dhe më tha që ishte shtatzënë, nuk e besova, bleva diku në farmaci një nga ato testet dhe ajo ishte ashtu siç tha. I thashë nxirre fëmijën, por ajo nuk pranoi. E lamë që do të takoheshim ku shkonim gjithmonë, aty ku ju gjetët rrobat e saj dhe të miat. Ajo tha më vrit se nuk e abortoj fëmijën. Më vrit dhe ma pre kokën. Hidhe, ma fshih që mos ta gjejnë e mos të kuptojnë se jam unë. E qëllova me pistoletë atë natë dhe pastaj ia preva dhe ia flaka kokën tutje”. Takimet e tyre bëheshin në një tip kabine që mbyllej me qepen dhe që i përkiste Shabanit.

Natën e krimit të dy e kishin lënë të takoheshin jashtë shtëpisë së vajzës, por kur janë takuar, vajza ka nisur të debatojë, ndërsa ai i bindur për kokëfortësinë e vajzës që ishte kundër abortit, kishte marrë masat. Me vete mbante pistoletën dhe mjetin prerës. “E qëllova në kokë dhe pastaj ia preva kokën”, ka deklaruar, ndërsa në rrobat e tij janë vënë re edhe njolla gjaku që dëshmojnë, sipas policisë, autorësinë e krimit. Mbetet ende e pashpjegueshme se si nuk është dëgjuar nga askush krisma e pistoletës në një zonë të banuar. Edhe pse në një arë misri, në anën tjetër të shinave ndodhen shtëpi, përfshirë dhe atë të viktimës, aq më tepër që babai i viktimës deklaron se kishte dalë për ta kërkuar të bijën nëpër natë dhe kishte njerëz zgjuar.

Në dëshminë e dhënë në polici, ai ka treguar se ka abuzuar seksualisht edhe me disa gra të tjera në fshat, mes të cilave dyshohet të jetë dhe një nga motrat më të mëdha të Ajshes, Valbona. E martuar disa vite më parë, ajo ishte kthyer shpejt në shtëpi, pasi i shoqi nuk ka mundur ta pranojë kur e ka konstatuar të defloruar në natën e parë të martesës. Vajza mësohet se kishte pranuar në shtëpi se ishte përdhunuar kur ishte e vogël nga një i moshuar në fshat, por familja nuk ka dashur ta ngacmojë më tej këtë ngjarje, duke i hapur rrugë një tjetër abuzimi të Shaban Norjes. Ka qenë pikërisht marrja në pyetje e motrës së Ajshes, menjëherë pas gjetjes së trupit të saj që ka çuar drejt zbardhjes së krimit dhe ndalimin e maniakut seksual që vrau studenten e vitit të parë të Infermierisë dhe zhduku për katër ditë rresht kokën e prerë të saj.

Frika nga hasmëria, djali i Shabanit ndihmoi policinë

Forca të shumta policie ndodhen në Xhafzotaj të Durrësit për të shmangur një hasmëri të mundshme dhe të menjëhershme mes Vatëve dhe Norjas. E ndërsa 80-vjeçari Norja ndodhet në Komisariatin e Policisë së Durrësit, autoritetet policore kanë nisur t’i frikësohen një hakmarrjeje të mundshme në fshat.

Madje burime policore kanë nisur të deklarojnë dhe se në kapjen e 80-vjeçarit ka pasur një rol të rëndësishëm edhe djali i tij, Nard Norja, që është kthyer pak ditë më parë nga Italia, ku jeton me familjen për të zbehur çdo hakmarrje të mundshme ndaj familjes së djalit të Shabanit. I biri ka dhënë detaje mbi ecejaket e të atit, shtëpinë dhe kabinën ku u gjetën veshjet e viktimës dhe të Norjes. Lindja e një hasmërie në fshatin e dalluar për bashkëjetesën e paqtë ndër vite ka krijuar tension në fshatin Vëllazërim të Komunës së Xhafzotajt, atje ku banon familja Vata dhe Shaban Norja.

Ndërkaq, mes banorësh lajmi se 80-vjeçari është autor i vrasjes i lë të çuditur dhe mosbesues të gjithë banorët.

“Ishte burrë i qetë. Nuk e njoh për të keq. Burrë zotni. Ne e njohim një njeri të mirë, po nuk njihet njeriu”, thonë bashkëfshatarë të ndryshëm të tij, ndërsa gratë e pakta që sheh në rrugët e fshatit pasdite nuk duan të flasin për të.

Të tjerë nën zë thonë se ka qenë problematik dhe ngacmonte shpesh gratë e fshatit, po me kujdes. Ajo që ka ndodhur në fshat dhe zhvillimet e ditëve të fundit që çuan në ndalimin e një bashkëfshatari i kanë lënë të habitur shumë prej tyre, pasi në asnjë rast nuk kanë mundur të bëjnë një lidhje mes 18-vjeçares Vata dhe 80-vjeçarit Norja, aq më tepër që raportet mes tyre të zgjasnin prej muajsh. Dy familjet njiheshin mirë midis tyre dhe rreth 12 vjet më parë, kur familja e Muhamet Vatës u zhvendos nga Surroj i Kukësit drejt Xhafzotajt për një jetë më të mirë, bleu tokë nga autori i dyshuar. Njeriu që mendohej se u dha mundësinë për të qenë zot të tokës ku u vendosën, rezulton deri tani të jetë autori i tragjedisë së Vatëve. Dhe jo vetëm Ajshja, por dyshohet se 80-vjeçari pak vite më parë ka abuzuar edhe me një tjetër vajzë të Muhametit, njeriut që ishte i dyshuari i parë për krimin e rëndë. Shabani jetonte vetëm pas vdekjes së të shoqes vite më parë, ndërsa djali me të shoqen dhe dy fëmijët me të cilët rrinte, kishte emigruar në Itali.

KOMENTE