English

Ministria e Mbrojtjes: Çdo pronë e ushtrisë është trajtuar sipas ligjit

Ministria e Mbrojtjes përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, z. Edvin Kulluri dha sot një deklaratë për mediat, në të cilën thuhet:
Deputeti Taulant Balla refuzon ose nuk mundet të kuptojë sqarimet që Ministria e Mbrojtjes ka dhënë në vijimësi për procedurat dhe trajtimin e pronave të tepërta të ushtrisë. Ndaj të ndodhur në këtë situatë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të inkurajojmë deputetin e Partisë Socialiste që në 983 ditët në vazhdim të vazhdojë të informojë ish-pronarët, njësitë e pushtetit lokal apo edhe investitorë të ndryshëm rreth 983 pronave në administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes që janë në proces tjetërsimi.
Kontributi i zotit Balla në përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe rritjes së transparencës është i mirëpritur, megjithë publikimin në faqen tonë të internetit të listës së pronave të tepërta prej vitit 2010, pjesë e së cilës janë dhe pronat e cituara nga zoti Balla. Kontributi i drejtpërdrejtë i deputetit në fjalë, do ndihmojë në informimin akoma më të detajuar të personave apo subjekteve të interesuara për vendodhjen, sipërfaqen apo edhe pamjet e pronave të destinuara për t’ju kthyer ish-pronarëve apo të interesuarve për t’i zhvilluar ato. Njëkohësisht, daljet e zotit Balla përbëjnë një nxitje, që listës së 71 pronave të cilat u janë transferuar njësive të qeverisjes lokale për objekte sociale, t’u shtohen edhe të tjera, ashtu siç e parashikon ligji.

Së fundi, për të shmangur çdo keqkuptim në lidhje me disa ish-reparte ushtarake në vijën bregdetare, dëshirojmë të informojmë deputetin socialist dhe kolegët e tij, se rreziku që i kanosej Shqipërisë nga ish-vende imperialiste, kapitaliste apo shoviniste sot është shndërruar në marrëdhënie bashkëpunimi. Vende si Italia, Greqia apo edhe Mali i Zi janë ose vende aleate në NATO ashtu si vendi ynë, ose pjesë e Partneritetit për Paqe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

KOMENTE