Presidenti Bujar Nishani i ka dërguar mesazh urimi Presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, me rastin e marrjes nga Bashkimi Evropian të Çmimit Nobel për Paqen 2012.
“I nderuar zoti President
Dëshiroj, me këtë rast që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju uroj ju, zoti President, institucionet e Bashkimit Evropian, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 500 milionë qytetarët e tij.
Ky çmim përbën njohjen më prestigjioze ndaj BE-së, për arritjet e saj historike, që fillojnë me pajtimin franko-gjerman, duke vazhduar me promovimin e demokracisë, rënien e Murit të Berlinit, integrimin evropian të vendeve të Evropës Juglindore, deri te përparimi i paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Shqiptarët në Kosovë kanë përfituar veçanërisht nga ky kontribut i BE-së.
Ky vendim vjen në një moment historik për vendin tim, kur Komisioni Evropian i ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, si një inkurajim për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.
Duke ju uruar, gjithashtu, për kontributin tuaj personal për suksesin e Këshillit Evropian, ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.