Presidente Jahjaga ka përshëndetur fillimin e "Javës për të drejtat e viktimave të krimit".
Gjatë fjalimit të saj ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, kanë krijuar sfond ligjor dhe institucional dhe kanë kontribuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore për të përkrahur viktimat e krimit.
Kjo javë që u kushtohet viktimave të krimit dëshmon vullnetin dhe përkushtimin tonë institucional që të përkrahim dhe mbrojmë pjesën më të ndjeshme dhe më të rrezikuar të shoqërisë - viktimave të formave të ndryshme të dhunës.
Sot në Kosovë, një numër i ndjeshëm i viktimave ka nevojë për përgjigjen dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme. Fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, mbesin ende të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të krimit dhe viktimizimit. Gratë dhe fëmijët në numër më të shprehur janë viktima të dhunës në familje.
Nevoja për të korrigjuar këtë të dukuri të shëmtuar ishte temë në Samitin Ndërkombëtar të Gruas të mbajtur në fillim të këtij muaji në Prishtinë nën patronazhin e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në këtë Samit, të gjitha institucionet e Kosovës si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, riafirmuan në dokumentin “Parimet e Prishtinës” se “...Qasja e barabartë e gruas në të gjitha proceset, veçanërisht në siguri dhe drejtësi, është jetike.
Gratë nuk mund të avancojnë në aspektin shoqëror, ekonomik dhe politik nëse nevojat e tyre nuk janë adresuar, nëse siguria e tyre është kompromentuar, ose nëse dinjiteti i tyre nuk është respektuar”.
Përmes programeve të ndryshme për ndihmë dhe përkrahje të viktimave jemi përkushtuar të fuqizojmë të mbijetuarit e formave të ndryshme të krimit dhe t’u mundësojmë atyre që të vazhdojnë jetën si të pavarur, të mbrojtur, me dinjitet. Si institucione, në bashkëpunim me shoqërinë civile, jemi zotuar po ashtu të krijojmë programe afatgjate për shkollim, punësim dhe vetëdijesim të grave për të drejtat e tyre në mënyrë që ato të cilat përjetuan krime të rikthehen si pjesëtare aktive dhe kontribuuese të ndryshimeve në shoqëri.
Njëherit, edhe në parimet e Samitit Ndërkombëtar të Gruas, ne kërkuam që të njihet statusi ligjor i viktimave të përdhunimeve.
Të nderuar pjesëmarrës,
Në këtë javë të përkrahjes te viktimave të krimit, jemi së bashku për t’i dhënë shtytje përpjekjeve dhe punës së njerëzve që u qëndrojnë pranë viktimave të formave të ndryshme të krimit duke pasur përherë parasysh obligimin tonë institucional t’i përkrahim dhe t’i mbrojmë dhe të gjithë ata që janë viktima te krimit dhe dhunës, t’i risocializojmë dhe t’i kthejmë aty ku takojnë, në mesin tonë.
E përgëzoj Kryeprokurorin e Shtetit për këtë iniciativë të rëndësishme dhe ju siguroj në përkrahjen time të vazhdueshme që të ndërtojmë një Kosovë ku gjithë qytetarët tanë do të mund të jetojnë të sigurt.