Ndërsa po sot Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi tre projektligje që ratifikojnë marëveshje të rëndësishme për zhvillimin evropian të Shqipërisë.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për bashkëpunim në lidhje me huadhënien e objekteve, që i përkasin trashëgimisë së luajtshme kulturore të shtetit, për ekspozim në territorin e shtetit tjetër” vjen me një rëndësi të veçantë simbolike për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ratifikimi i hap rrugë, ardhjes dhe ekspozimit për herë të parë të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, të cilat gjenden në Muzeun Historik të Vjenës.
Muzeu Historik Kombëtar do të jetë institucioni pritës i objekteve dhe nënshkrues i marëveshjeve teknike ndërmjet palëve. Ky projektligj ratifikimi u miratua sot edhe në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Projektligji tjetër që u miratua në Komisionion e Jashtëm ishte ai “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)” vjen në kuadrin e ratifikimit nga pala shqiptare të reformave institucionale të ndërmarra nga Bordi I Guvernatorëve FMN , në dhjetor të 2010 dhe konkretisht, miratimi i Rezolutës nr 66-2”Rishikimi i 14 i përgjitshëm i kuotave dhe reformave të Bordit Ekzekutiv të FMN".
Projektligji i miratuar sot nga Komisioni i Jashtëm, ishte dhe ai “Për ratifikimin e instrumentit të angazhimit të Republikës së Shqipërisë në shtesën e burimeve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillimin (IDA), plotësimi i gjashtëmbëdhjetë”. Ky projektligj ka të bëjë me një shtesë burimesh financiare nga shteti shqiptar në kuadër të anëtarësimit në IDA.