Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori dje në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 3 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve (BEI), për financimin e projektit të rrugës Levan – Vlorë”, që parashikon financimin e ndryshimeve që kanë ndodhur në vlerën e projektit.
Projektligji ka ardhur si pasojë e problematikave të shfaqura në fazën e zbatimit dhe për këtë ka lindur nevoja që të bëhen ndryshime me karakter objektiv.
Për të financuar koston shtesë të projektit, qeverisë shqiptare i është vënë në dispozicion një kredi shtesë prej 3,000,000 eurosh, e cila do të ketë të njëjtat terma financiarë me kredinë e dhënë në vitin 2007.
Komisioni e miratoi edhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe u shpreh dakord për kalimin e tij në seancë plenare.