English

Berisha-Frattini takohen në Bukuresht

Në kuadër të punimeve te Kongresit të XXI të PPE-së, që po zhvillohet në datat 17-18 tetor në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me ish-ministrin e jashtëm italian si dhe kryetar i grupit ad hoc në EPP për politikat e jashtme, z. Franco Frattini.

Zoti Frattini e falenderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që ai dhe Shqipëria i dha kandidaturës së z. Frattini për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Kryeministri Berisha siguroi mbështetjen e plotë duke e cilësuar kandidaturën e z. Frattini si të merituar për këtë pozicion shumë të rëndësishëm në arenën botërore.

Zoti Frattini u interesua për hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit, pas raportit pozitiv të Komisionit Evropian që propozoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Kryeministri e cilësoi si një dokument historik raportin dhe vlerësoi si të drejta kërkesat e KE për miratimin e tre akteve legjislative para marrjes së vendimit nga Këshilli Evropian në dhjetor të këtij viti.

Kryeministri Berisha nënvizoi se këto akte janë tashme në Kuvend dhe presin votën e opozitës socialiste në mënyrë që këto kërkesa të fundit të plotësohen në kohë me konsensus. Kryeministri siguroi gatishmërinë e mazhorancës për të hedhur hapat e fundit bashkë me opozitën, si akte në interesin më të mirë të vendit. Kryeministri theksoi se, qëndrimet bllokuese dhe konfuze të opozitës, po vonojnë miratimin e këtyre ligjeve në kohën e duhur.

Në përgjigje të interesit të z. Frattini për zhvillimet në rajon, Kryeministri theksoi se, pas një serie zhvillimesh pozitive në të shkuarën që sollën stabilizim, situata politike në rajon karakterizohet nga një stanjacion politik që duhet konsideruar me kujdes dhe seriozitet nga Evropa dhe komuniteti ndërkombëtar. Ai theksoi se procesi i integrimit evropian është një katalizator dhe shtytës i fuqishëm i paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri theksoi se pavarësisht krizës që po kalon, Evropa duhet të ruajë fokusin mbi rajonin.

Ai theksoi se vendet jo-anëtare të rajonit ndjejnë pasojat e krizës në zonën Euro , ndërkohë që mbeten jashtë masave mbrojtëse të BE-së.

Në përfundim Kryeministri ftoi z. Frattini që, si një mik i madh i shqiptarëve, të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga z. Frattini

KOMENTE