Anëtarët socialistë të komisionit të ligjeve kanë heshtur para ministrit të drejtësisë Eduard Halimi i cili ishte thirrur në seancë dëgjimore për të raportuar lidhur me dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore.
Ministri Halimi deklaroi se ligji për dëmshpërblimin është miratuar në vitin 2007, ndërkohë që janë depozituar mbi 20 mijë kërkesa për dëmshpërblim dhe ka përfunduar procesi për mbi 11 mijë prej tyre. Halimi theksoi se është shpërndarë kësti i parë për të gjithë ish-të burgosurit politikë, ndërkohë që ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65- vjeç.
"Nga 20 589 kërkesa të cilat janë depozituar në Ministrinë e Drejtësisë, ka përfunduar procesi për 11 759 kërkesa, të cilat kanë patur të bëjnë me pjesën që janë dënuar me burgim dhe me pjesën e të pushkatuarve pa gjyq. Pra për 11 759 janë zbatuar vendimet e qeverisë për dëmshpërblimet. Të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe sipas informacioneve që më vijnë edhe nga Ministria e Financave të gjithë këta persona kanë marrë këstin e parë dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65-vjec. Ka përfunduar edhe faza e dytë për ata që janë mbi 65-vjec, dhe ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për pjesën tjetër, por tashmë sipas rendit kronologjik të miratimit të kërkesave të tyre”, deklaroi Halimi.
Deri në fund të vitit 2012 parashikohet përmbyllja e shqyrtimit administrativ të 100 kërkesave qëi përkasin të pushkatuarve pa gjyq. Rreth 2300 kërkesa i përkasin kategorisë “internim tela me gjemba”, të cilat presin miratimin e projekt-ligjit i cili parashikon njohjen e aktit administrativ të lëshuar nga Komisioni Trepalësh; Rreth 4000 kërkesa i përkasin kategorisë “internim-dëbim”, për të cilët pritet skema e pensionit e propozuar nga Ministria e Financës ndërsa rreth 1600 kërkesa nuk plotësojnë kriteret ligjore aktuale dhe këto kërkesa janë trajtuar me përgjigje negative sipas legjislacionit në fuqi.
Opozita nuk i ka drejtuar ministrit asnjë pyetje mbi dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. “Nuk bëmë asnjë pyetje” deklaroi deputeti socialist Pandeli Majko pas përfundimit të seancës të thirrur me kërkesë të deputetëve të Partisë Socialiste.