Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar e posaçme në ceremoninë zyrtare të çeljes së Ditëve “Shqipëria 100 vite Pavarësi; Marëdhëniet shqiptaro- austriake.”
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm zoti Erhard Busek, ish zëvendëskryeministër i Austrisë si dhe deputetë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që ky aktivitet zhvillohet në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e pazëvendësueshëm që Austria ka dhënë në shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit shqiptar.
Në këtë ceremoni Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje figurat e ndritura të Albanologjisë, personalitetet austriake si Norbert Nohel, Johan George, etj, të cilët ndërtuan një imazh krenarie për shqiptarët, vlerat dhe traditat e tyre historike, aspak të njohura në atë kohë për Evropën.
“Kjo miqësi historike, tha Kryetarja e Kuvendit është thelluar në 20 vitet e fundit, është konkretizuar dhe përkthyer në terma konkertë suksesi, financiarë ekonomik, diplomatik politikë”
Zonja Jozefina Topalli theksoi se: “Miqësia midis dy shteteve tona, midis dy popujve tanë është e shkëlqyer dhe ashtu siç thotë edhe kryetarja e Parlamentit të Austrisë Prammer, rrënjët e tyre qëndrojnë që në monarkinë Austriako-Hungareze. "
Kryetarja e Kuvendit falenderoi Parlamentin Austriak dhe Kryetaren e tij Barbara Prammer për miratimin që ata dhanë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu, të cilat ndodhen në Muzeumin e Vienës.
“Dua të falënderoj qeverinë, Parlamentin, popullin austriak për mbështetjen e vazhdueshme historike që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ta fesojmë këtë sukses të madh, këtë miqësi të madhe që ne kemi në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë sonë , që është ditëlindja jonë më e shenjtë, më e dashur dhe më e bukur”, tha Kryetarja e Kuvendit.