Dy pikat kryesore të takimit midis kreut socialist Edi Rama dhe kryeminsitrit rumun Viktor Ponta, gjatë takimit të tyre në Bukuresht kanë qënë:
Perspektiva europiane dhe plani i bashkëpunimit sot në opozitë e nesër në qeveri.
Takimi ka qenë pjesë e programit të një vizite zyrtare mjaft intensive që kryesocialisti Rama ka zhvilluar për 2 ditë në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Biseda me kryeministrin rumun është fokusuar në forcimin e bashkëpunimit dypalësh, në funksion të zhvillimit reciprok të të dy vendeve, sidomos pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2013. Ndërkohë, nuk janë lënë jashtë vëmendjes edhe tema të ndjeshme siç është ajo e qëndrimit të Rumanisë për çështjen e Kosovës. Kryeministri Ponta ka vlerësuar lart rolin e PS dhe kryetarit të saj Edi Rama në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Takimi zyrtar është mbyllur me këmbimin e shenjave të miqësisë mes dy bashkëbiseduesve.
Kryeministri rumun Viktor Ponta: “Jam shumë i lumtur të takoj këtu në Bukuresht mikun tim dhe kolegun Edi Rama. E sigurova atë se Rumania si vend, populli rumun, e po ashtu edhe unë si kryeministër, do ta mbështesim gjithmonë Shqipërinë për të arritur progres dhe për patur një jetë më të mirë, si dhe për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. Ne kemi eksperiencat tona si vendi më i ri anëtar i Bashkimit Europian. Unë e di shumë mirë se është e vështirë, por mendoj se e ardhmja e Shqipërisë, si dhe e Rumanisë, pra e të gjithë rajonit tonë, është vetëm integrimi europian dhe besoj se shumë shpejt ju do ta meritoni dhe do jeni gati të jeni pjesë e Europës.”
Kryetari i PS, Edi Rama: “Ishte një kënaqësi e madhe sepse ishte një takim mes miqsh përveçse një takim me Kryeministrin e Rumanisë që besoj do të jetë kryeministri i Rumanisë edhe pas zgjedhjes të pak mujave më pas, për të diskutuar për një bashkëpunim afatgjatë, për të shtruar disa piketa në një ndërveprim lidhur me Europën me perspektivën europiane të Shqipërisë. Për të cilën, Rumania pa dyshim mund të luajë një rol të madh si një vend që mund të japë një shtysë të rëndësishme. Ashtu sikundër edhe për Programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” ku jam i bindur do të kemi ndihmë të konsiderueshme duke u bazuar tek fakti që qeveria aktuale po arrin të trajtojë krizën ekonomike pa cënuar rritjen ekonomike, rritjen e punësimit, rritjen e mbështetjes sociale ashtu si edhe ne e dëshirojmë për Shqipërinë.”
Por bisedimet konstruktive kanë vijuar edhe gjatë darkës së punës ku bashkë me Ramën e Pontën ka marrë pjesë edhe Presidenti i Socialisteve Europianë, Sergei Stanishev. Në fokus të diskutimeve kanë qenë rajoni, ekonomia dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri.