English

Promovohet libri "Turqia e re e Erdoganit të madh”

Arjan Markeçi: Në ambjentet e universitetit Vitrina është promovuar Libri “Turqia e re e Erdoganit të madh” është një vepër që i kushtohet ringritjes së Turqisë në dhjetëvjeçarin e fundit. Me synimin për sjellë një model të ri lidershipi dhe qeverisje politike nëpërmjt ideve, reformave dhe veprimtarisë së kryeministrit Erdogan, ne po përcjellim gjithashtu pranë jush vizionin e Lëvizjes Shqipëria e Re për begatimin e Shqipërisë në tetë vitet e ardhshme duke pasur si orientim konkret, reformat dhe nismat konkretet në Turqinë e re të Erdoganit të madh.

I konceptuar në 7 ndarje të mëdha dhe 77 nënkapituj, vepra trajton në mënyrë sa më shterruese ekonominë dhe diplomacinë turke, personalitetin e madh të kësaj periudhe si kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (PDZH) dhe njëherazi kryeministri për disa mandate rresht, Erdogan; përpjekjet e mëdha që janë bërë në këtë vend në të gjitha fushat dhe aspektet për t’u shkëputur nga mjerimi e skamja dhe për t’u shndërruar në një fuqi financiare ndër më të spikaturat e skenës botërore, nga krizat e herëpashershme politike dhe rrafshimet e qeverive e të forcave politike prej elitave ushtarake në stabilizimin e mandateve qeverisës dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura, etj. I mbështetur shumë në analiza dhe botimet e herëpashershme në shtypin vendas dhe atij botëror, vepra ka një gamë të gjerë çështjesh e nënçështjesh, të cilat janë ende pak të njohura për skenën politike të vendit tonë që, ka gjithsesi një raport më të veçantë me popullin dhe shtetin turk. Nga një mori shkrimesh pro dhe kundër partisë qeverisëse, janë zgjedhur sigurisht nga të dy llojet, por që kanë edhe më shumë informacion dhe domethënie.

Kapitulli i parë i kësaj vepre i titulluar “Ekonomia turke” i përbërë nga katërmbëdhjetë komponentë shtjellon tema të tilla si sukseset në ekonomi, politikat e zhvillimit të zonave rurale, makroekonomia në rritje, shtimi i besimit të konsumatorit, kryesimi i forumeve botërore të Davosit dhe të Detit të Zi, shndërrimi në një ekonomi të qëndrueshme, Turqia, si fuqi konkurrence dhe urë energjetike, marrëveshja strategjike e gazit me Azerbaxhanin dhe strategjia e turizmit deri në vitin 2023. Kapitulli i dytë me vetëm shtatë nënkapituj, i emërtuar “Erdogani, jo vetëm shpresë” bën një përmbledhje të rrugës së vështirë të ngjitjes politike të kryeministrit aktual turk Erdogan, prejardhjen e tij dhe traditën familjare, shkollimin dhe pasionet, rrugën drejt bashkisë së Stambollit, rrebelimi ndaj partisë dhe përplasja me kreun me ndikim Erbakan, burgosjen disa mujore, rritjen e popullaritetit në të gjitha shtresat e popullsisë dhe kurorëzimin e përpjekjeve për të qenë një figurë përcaktuese dhe e besueshme jo vetëm në qeverisjen e vendit, por edhe me fuqi ndikuese në rritje rajon dhe më gjerë si organizatore apo mikpritëse e mjaft forumeve ndërkombëtare.

Në kapitullin e tretë që i kushtohet diplomacisë, ka sërish katërmbëdhjetë kapituj, mes të cilave: PDZH-ja dhe politika e jashtme, reformat politike, historiku dhe strategjia e Turqisë, rritja post – sovjetike, veprimi diplomatik për luftën në Siri, sfida për stabilitet rajonal, gara gjeo - politike për gazin natyror, modeli jo vetëm për botën arabe, raport i ri i marrëdhënieve me Kinën, ndikimi turk në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan, këshilltarët e Erdoganit në politikën e jashtme dhe roli i kryeministrit në këtë fushë të rëndësishme. Kapitulli i katërt u rikthehet sërish disa nga trajtimeve të mësipërme, por në këndvështrime dhe dinamika të tjera. I titulluar thjesht “Turqia, në klubin e Perëndimit”, ai trajton vëmendjen e politikës së jashtme turke dhe kryeministrit Erdogan ndaj provokacioneve që mund të vijnë nga lufta e përgjakshme në Siri dhe zgjimi i grupeve terroriste, çfarë thonë të dhënat e institucioneve të besueshme bankare për rritjen e rezervave turke, dinamika e marrëdhënieve me Rusinë për shkak të qëndrimeve të saj pro Sirisë, përfaqësimi turk në lojërat olimpike të Londrës; rinisja e përpjekjeve strukturave legjislative, maxhorancës qeverisë dhe shoqërisë turke për të qenë sa anëtarë të merituar të aleancës së NATO-s aq edhe të klubit të Perëndimit dhe sidomos të familjes europiane.

Kapitulli i pestë i kësaj vepre “PDZH-ja dhe mandatet qeverisëse”, po me katërmbëdhjetë komponentë, fokusohet në një fenomen të ri të skenës politike: formimin e formacionit politik të quajtur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim. Në këtë pjesë jepen në mënyrë më të zgjeruar se si lindi PDZH-ja, origjina e saj, fuqizimi në një kohë relativisht të shpejtë, ekuilibri mes laicizmit dhe lirisë së besimit, midis ndryshimit dhe konservatorizmit. Gjithashtu po në këtë kapitull zënë vend shtrirja dhe shndërrimi i PDSH-së në parti të të gjithë popullit, gjetja e mundësive për financimin e vet, përballimi i problemeve politike, juridike, ekonomike dhe shoqërore, arritjet dhe problemet në mandatet qeverisëse të njëpasnjëshme prej vitit 2002 deri në 2011, pasojat e përballimit të puçit të përgjakshëm ushtarak, etj.

Kapitulli i gjashtë i titulluar “Sfida të tjera të PDZH-së” i kushton vëmendje dinamikës së kësaj force përcaktuese politike me trajtesa të tilla frymëzimi i shtresave të gjera të popullsisë, mundësitë politike të forcës politike në pushtet pas padisë së gjyqësorit për mbyllje, raportet e maxhorancës me opozitën, përpjekjet për zgjerimin lirive dhe të të drejtave të njeriut, marrëdhëniet e Turqisë me vendet fqinje dhe evropiane, roli i njeriut të afërt të kryeministrit dhe ministrit aktual të Jashtëm, Davutogllu, etj.

Kapitulli i shtatë dhe i fundit me vetëm shtatë nënkapituj, i emërtuar “Turqia, fuqi rajonale” rimerr disa nga shtjellimet e mësipërme, por në këndvështrime të tjera. Në këtë pjesë të veprës janë sjellë prononcime dhe qëndrime për raportet shtetërore me të drejtat e njeriut, lirinë e medias dhe të shprehjes, fuqinë dhe ndikimet në rritje të PDZH-së, mesazhi i kryeministrit Erdogan: “Ne jemi e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e Turqisë”, marrja e më shumë përgjegjësive të vendit në raport me luftën e përgjakshme dhe ende të pazgjidhur në Siri, gatishmërinë për t’i dhënë borxhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, etj. Si në këtë kapitull, ashtu edhe në ato të mëparshëm janë me interes të shikohen ndërmarrja e mjaft reformave sa legjislative, ashtu edhe ekonomike, diplomatike dhe në fushën e turizmit. Të bën përshtypje të veçantë motoja e ndërtimit të marrëdhënieve të Turqisë me vendet më të afërta “Asnjë probleme me secilin vend fqinj”, çka mbi këtë moto por edhe me një veprim të guximshëm diplomatik ka arritur të gjenerojë një raport tjetër të bashkëpunimit me Greqinë dhe Qipron Greke, me krejt vendet e Ballkanit, me republikat e ish Bashkimit Sovjetik që kanë të fortë komponentin e besimit mysliman; me të gjitha këto si dhe me shtete më të largta ajo ka parë gjërat që i bashkojnë për një bashkëpunim sa më të frytshëm.

Nuk ka dyshim se Turqia e sotme për të arritur deri këtu i detyrohet përkushtimit të një force të re politike si Partia për Drejtësi dhe Zhvillim dhe një lideri karizmatik si Rexhep Taip Erdogan, duke lënë prapa shumë paragjykime dhe duke rrëzuar mjaft tabu. E gjendur në radhën e popujve që sigurojnë paqen në rrafsh botëror, pra si një anëtare e kahershme e Aleancës së Atlantikut Verior, (NATO) Turqia ka ridimensionuar vetveten duke qenë së pari pjesë e rëndësishme e Klubit të Perëndimit dhe së dyti duke dinamizuar marrëdhëniet me vende të tjera me peshë ndërkombëtare pas dy valë zhvillimesh: shembjen e sistemit komunist dhe “pranverën arabe”.

KOMENTE