Nuk ka vetëm 1 javë që ka përfunduar shtrimi i rrugës "Thanas Ziko" në njësinë nr 8 dhe po të shkoni dhe të shihni gjendjen, lë për të dëshiruar. Rruga është prishur dhe duket mjaft më keq se ç'ishte më parë.
Këshilltarët e majtë edhe njëherë kanë theksuar në Këshillin Bashkiak se ka patur keqmenaxhim të fondeve, abuzimm me cilësinë e punëve publike dhe mungesë përgjegjësie përballë qytetarëve nga ana e Bashkisë së Tiranës.
Asfalti ka dalë tërësisht, pusetat janë bllokuar me asfalt dhe rruga ka vetëm arnime. Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për mënyrën e shpenzimit të taksave që ata vetë paguajnë.
“Rruga është shtruar në një ditë më shi dhe ka qenë e lagur kur është hedhur asfalti. Ne nuk jemi të sigurtë se ky riasfaltim do të mbajë dhe duket se fondet e taksapaguesve, dmth paratë tona po shkojnë kot”, shprehet një burrë rreth të 50-ave, banor i hershëm i kësaj zone. Mendimin e tij e mbështet edhe një tjetër banor i cili thotë: “Nuk jam fare i kënaqur, pasi rrugën e kanë shtruar para 4-5 ditësh, në një kohë kur binte shi dhe toka ishte e lagur. Siç mund ta shihni edhe vetë asfalti ka dale që tani. Kjo është një punë që bëhet me lekët tona, me lekët e popullit. Nuk e kuptojmë pse bëhet kështu. Ose bëje një herë dhe bëje mirë, ose mos e bëj fare”.
Këshilltari socialist në Këshillim Bashkiak Tiranë, Gent Gazheli theksoi: “Ne si këshilltarë të opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës kemi denoncuar rast pas rasti keqmenaxhimin e punëve publike dhe përdorimin jo transparent të fondeve të taksapaguesve.
Jo më larg se në dhjetor të 2011 në buxhetin e Tiranës, në Njësinë Bashkiake Nr.8 ishin parashikuar 97 milionë lekë të vjetra në zërin asfaltim-rregullime të rrugëve të brendshme të bllokut midis rrugës së Dibrës dhe rrugës Qemal Stafa. Sot gjithkush mund të shohë me sytë e tij se çfarë punimesh skandaloze janë kryer në këtë këtu. Asfalti ka nisur të dalë dhe rruga do të bëhet shumë shpejt edhe më keq nga sa ishte përpara asfaltimit”. Sipas Gazhelit kjo zonë duhet të ishte model dhe të kishte një vëmendje më të madhe edhe nga kryetari i bashkisë, pasi kjo është njësia ku ai është rritur dhe banon aktualisht. Por në fakt kjo rrugë është simboli i mënyrës skandaloze se si punohet në Bashkinë e Tiranës.
Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste të Njësisë Nr.8, Ervin Bushati është shprehur: “Këtu në zemër të Tiranës në Njësinë Nr.8 bashkia nuk arrin të bëjë asnjë gjysmë pune për të qenë. Kjo rrugë që ne shohim sot “Thanas Ziko”, është asfaltuar përpara një jave si mos më keq dhe banorët kanë ankesat e tyre për cilësinë e punimeve dhe ngadalësinë në realizimin e tyre. Lulzim Basha ka më shumë se 500 ditë që është emëruar në krye të bashkisë.”