Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot delegacionin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Hungari-Shqipëri, i kryesuar nga kryetari, z. Alpar Goyparos.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Hungarisë ndërsa u çmua se dy vendet janë takuar disa herë në momente të rëndësishme historike duke u bërë edhe më të afërta me njëra-tjetrën.
Z.Goyparos u shpreh i impresionuar nga ndryshimet në Shqipëri ndërsa theksoi angazhimin e përbashkët të grupit të miqësisë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet në nivel parlamentar si dhe në të gjitha fushat e tjera. “Shqipëria është një komb i madh dhe kombet e mëdha ecin gjithmonë përpara. Lidhjet tona të hershme historike janë themele që ne të forcojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin edhe në të ardhmen në çdo drejtim” u shpreh ai.
Kryetarja e Kuvendit njohu delegacionin e deputetëve të grupit të miqësisë me arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit, ku Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.
Kryetarja Jozefina Topalli falenderoi Hungarinë për mbështetjen që ka dhënë ndër vite ndaj procesit integrues të Shqipërisë ndërsa kërkoi mbështetjen edhe në këto momente të rëndësishme ku për pak javë Këshilli i Ministrave në BE do të japë vendimin final mbi dhënien e statusit kandidat.
“Ju garantoj se qeveria hungareze do të bëjë gjithçka për të mbështetur Shqipërinë për statusin kandidat si në Komisionin Evropian ashtu edhe në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian. Ne do të ofrojmë mbështetjen tonë edhe përmes deputetëve tanë në Parlamentin Evropian, në mënyrë që edhe ata të lobojnë për Shqipërinë. Ne ju sigurojmë për këtë mbështetje.” u shpreh anëtari i grupit të miqësisë Hungari-Shqipëri, z. Vilmos Szabó.
Anëtarët e Grupit të Miqësisë Hungari-Shqipëri shprehën urimet për 100-vjetorin e Pavarësisë ndërsa i konfirmuan Kryetares së Kuvendit se Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, z.Lazlo Kover i përgjigjet pozitivisht ftesës së saj për të qenë i pranishëm në festimet e 100-vjetorit, më 28 nëntor 2012.