Me rastin e ditës së lumturimit të Nënës Terezë, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha, ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit tërësor të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Kryeministri u angazhua se qeveria do të bëjë gjithçka, për rindërtimin e të gjitha shtëpive të fëmijëve, bazuar në konceptin bashkëkohor funksional e të dobishëm shtëpi-familje, ndërsa theksoi se frymëzim për qëndrimin ndaj atyre që janë në nevojë, duhet të jetë rruga e bamirësisë dhe e kujdesit njerëzor e Nënë Terezës.
Kjo shtëpi, nën kujdesin e Kryeministrit, iu nënshtrua jo vetëm rikonstruksionit të ambienteve, por edhe rikonceptimit të modelit të shtëpisë së kujdesit për fëmijë, duke ndërthurur elemente të akomodimit, familjes, edukimit, me një financim 50 milionë lekë të qeverisë shqiptare dhe 40 milionë lekë të Agjencisë Turke të Ndihmës Ndërkombëtare, për pajisjen e saj.
“Dua të shpreh angazhimin - u shpreh Kryeministri - se një transformim të tillë do ta pësojnë të gjitha shtëpitë e fëmijëve në Shqipëri. Ne do të bëjmë gjithçka që ato të jenë sa më afër kushteve të familjes, që brenda tyre të ketë sa më shumë elementë të familjes”.
Kryeministri Berisha tha se ky inaugurim që bëhet në një ditë të shënuar për shqiptarët, ditën e vendimit të Papa Gjon Pali II për lumturimin e shqiptares më të madhe të të gjitha kohërave, Nënë Terezës.
“Nderimi i saj, duke inauguruar një model të ri të shtëpive të kujdesit për fëmijët, është nderimi më i madh që mund t’i bëjmë sot. Nënë Tereza ishte një jetë e tërë e shkrirë në ndihmë të fëmijëve, në ndihmë të të sëmurëve, në ndihmë të qenieve të braktisura njerëzore”, - u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha vizituan ambientet e brendshme të akomodimit, u takuan me fëmijët, edukatoret e mësuesit. Më pas, Kryeministri ndoqi koncertin e fëmijëve të shtëpisë së fëmijës dhe të nxënësve të shkollës “Jordan Misja”.