English

George McGovern, ish senatori dhe sfidanti i Richard Nixon ndahet nga jeta

Është ndarë sot nga jeta në moshën 90-vjeçare ish-senatori demokrat amerikan nga Dakota e Jugut, George McGovern. Familja tha se shkaku i vdekjes ishte kombinimi dhe përkeqësimi i disa kushteve mjekësore. Ai shërbeu si kongresmen dhe senator në vitet 1957-1981.

Në vitin 1972 George McGovern kandidoi në zgjedhjet presidenciale, ku e përqëndroi fushatën e tij mbi një platformë që kundërshtonte luftën në Vietnam. Rivali i tij në këto zgjedhje ishte ish-presidenti Richard Nixon.
McGovern ishte një kundërshtar i zëshëm i Luftës së Vietnamit, por humbi ndaj Nixon nga një lumë votash.

George McGovern pësoi një nga humbjet më të rënda në historinë e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke siguruar fitore vetëm në shtetin e Masachusetsit dhe Distriktin e Kolumbias.

Në një intervistë që i dha në vitin 2006 Zërit të Amerikës, ish-senatori amerikan tha se pjesëmarrja e tij në Luftën e Dytë Botërore si pilot i forcave ajrore amerikane ishte faktori kryesor që përcaktoi pikëpamjen e tij si kundërshtar i luftës në Vietnam.

Ai u zgjodh së pari në Kongres në vitin 1956. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai shërbeu si një pilot i Forcave Ajrore Amerikane.

KOMENTE