Në fushat e fshatit shqiptar s'ka shtet po vetëm njerëz të braktisur në mëshirën e fatit që rropaten për të mbijetuar! Prandaj nevojitet një ndryshim radikal. Kryetari i PS, Edi Rama duke vijuar takimet e tij në rrugën e Programit për Rilindjen e Fshatit, është ndalur sot në Divjakë të rrethit të Lushnjës, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me fermerë të ndryshëm. Ata i kanë bërë prezent liderit të opozitës situatën e vështirë në të cilën ndodhen për shkak të mungesës totale të interesimit dhe përkrahjes së shtetit. Fermerët i janë referuar më së shumti shembujve të vendeve nga vijnë produktet bujqësore. Produkte të cilat mbysin tregjet e vendit edhe për shkak të kostos më të ulët në këto vende se sa në Shqipëri: “Serë kanë ata, serë kemi dhe ne. Tokë kanë ata, tokë kemi dhe ne. Ata e bëjnë, ne s’e bëjmë dot. Ku është problemi?! Tek shteti që i subvencionon, ndërsa ne jo”, është shprehur kështu thjesht dhe shkurt një fermer i ri në moshë, teksa bënte krahasimin se përse fermerët në vendet fqinje arrijnë të prodhojnë më shumë produkte.
Për Edi Ramën fermerët në të gjithë vendin nuk e kanë shtetin e tyre në krah dhe janë në kushtet e një mbijetese: “Unë besoj që edhe vetë kjo fjala subvencion, në fakt tregon diçka tjetër. Që ata që i eksportojnë drejt Shqipërisë produktet e tyre, e kanë shtetin në krah. Shqiptarët që punojnë në tokat e tyre nuk e kanë shtetin në krah. Shteti e ka braktisur fshatin dhe ju përpëliteni për mbijetesë. Ndërkohë që këtu duhet të kishim burimin kryesor dhe të garantuar të sigurisë ushqimore të vendit dhe këtu duhet të kishim mirëqenie që të gjeneronte mirëqenie në qytet, duke lehtësuar barrën e çmimeve për ushqim dhe duke krijuar mundësi që familjet mos përdorin gjithë buxhetin e muajit vetëm për të ngrënë”.
Takimet vijuan me fermerë të tjerë të cilët shprehen se kanë probleme me ujitjen. “Këtu është dhe problemi i ujitjes, sepse kanalizime s’ka. Pompa e hidrovorit nuk punon dhe fshatarët bëjnë puse me shpime. S’ka rrugë tjetër, ndryshe nuk bëhet prodhimi fare”, thotë njëri nga fermerët. Dhe problemet nuk kanë të sosur. Një tjetër prej fermerëve vijon me një shqetësimin edhe më madhor për të ardhmen e tokës bujqësore: “Shpimet po bëjnë kripëzimin e tokës dhe ky është problemi kryesor. Kanë dalë disa barishte që vetëm në kënetë bëheshin më parë. Duke pasur lumenj afër dhe të mos e marrësh dot ujin është tmerr. E ka marrë çdo parcelë kripëzimin. Brenda 10 vjetësh nëse toka do vazhdojë me këto puse si sot, as gjysmën e prodhimit nuk do japë. Dikur ka qenë kanali sipër kodrës dhe vadisnim, rridhte nga një pikë ujë, mbanim dhe kanalet kulluese, ndërsa sot s’ka kanale më. Ka 20 vjet që kanalet nuk pastrohen”.
Fermerët, mjaft të ndjeshëm ndaj halleve që po u a bëjnë gjithnjë e më të vështirë këtë mbijetesë, duket sikur nuk i lënë radhë për të folur njëri-tjetrit. “Divjaka ka dhe një favor, që po të rriten ujërat nëntokësore nuk vjen uji i kripur dhe përmirësohet cilësia e tokës, por edhe puset mbajnë ujë. Divjaka këtu punon. Populli është shumë punëtor, por biem në befasi gjithmonë tek shitja e prodhimit, sepse del me kosto të lartë”, shton një tjetër për fermerëve, i cili po ashtu i vë vëmendje problemit të ujitjes dhe kullimit të tokave.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve të mëdha, Ilir Beqja, Sekretari i PS për programin është shprehur: “Realisht, këtu, nga kjo histori me puse, jo vetëm që kjo tokë për 10 vjet s’jep më rendiment, por edhe kostot janë shumë të larta. Ne kemi analizuar me kujdes dhe një nga gjërat nga duhet të fillojë rimëkëmbja e fshatit është ujitja. Ne i kemi burimet, kemi bërë një inventar të plotë të gjithë Shqipërisë, ashtu siç kemi bërë edhe këtu dhe duam të investojmë seriozisht për ta rimëkëmbur të gjithë rrjetin edhe të ujitjes, edhe të kullimit. Nuk mund t’i kërkosh sot sforco fshatarit pa bërë shteti punën e vet, sidomos në kanalet e larta, që ju i dini shumë mirë se si kanë funksionuar dhe çfarë janë, që të vijë uji në parcela. Ne kemi një program ambicioz, që për 4 vjet do ta rehabilitojmë të plotë sistemin e ujitjes dhe të kullimit”. Më tej Sekretari i PS-së ka shtuar se qeveria socialiste do të investojë seriozisht për fshatin. “Dhe aq më shumë që në planin tonë kombëtar Divjaka, me këtë pjesë të Myzeqesë, Nënshkodra dhe Korça janë tre pellgjet kryesore me potencialet më të mëdha e me traditë në zhvillimin e bujqësisë. Do të rehabilitojmë të gjithë rrjetin e kanaleve të larta dhe në modelin tonë në bashkëpunim me pushtetin vendor, me komunat do të mirëmbajmë kanalet e mesme dhe të ulëta”, ka theksuar Beqja.
Kryesocialisti Rama dhe grupi i punës për programin që e shoqëronte është ndalur më tej në një serë, pronarët e së cilës kanë investuar 210 milionë lekë, por të detyruar kanë mbjellë lakra. “Kjo është serë për të mbjellë domate dhe tranguj, nuk është serë për sallata. Kjo që kemi mbjellë është sallatë kokërr, por ne nuk kemi mundësi që ta mbjellim domate apo trangull. Këto janë sera dimërore, por po nuk pati naftë nuk mund të vihen në punë. Unë e kam provuar dhe kam mbjellë në janar, kur ishte kulmi i çmimit dhe kam mbetur si peshku pa ujë, sepse m’u mbarua solari. Unë vetëm tokën e kam blerë 210 milionë këtu. Kam marrë kredi, për serat, shpenzimet e tjera, sjelljen e energjisë që nga rruga deri këtu dhe detyrohem e mbjell me lakër”, është shprehur pronari i kësaj sere. Ndërsa i biri e plotëson edhe më tej: “Sado që e kemi mbjellë këtë lakrën, por nuk ka treg, nuk e dimë sa do shitet. Mund të shitet edhe 100 lekë të vjetra, mund të bëhet edhe frezë, nuk ka ndonjë perspektivë. Subvencion nga shteti nuk ka. Që ta mbjellësh për shembull nga nëntori dhe të mbarojë në prill – maj. Kështu që mbjellim kot gjëra nga të cilat pothuajse nuk kemi fitim fare. Duhet subvencion nga shteti. Solari është 1150 lekë të vjetra, këto kaldaja harxhojnë një ton çdo natë dhe nuk kemi interes fare”.
Kreu i PS-së i ka siguruar fermerët e Divjakës se opozita ka tashmë një program, të cilin po e detajon dita ditës, dhe ku fshati e fermeri janë në qendër të tij. “Në fakt janë tre shtylla;
1. E para, ujitja dhe kullimi dhe këtu ne do bëjmë një investim masiv që ta rimëkëmbim gjithë sistemin, në bazë të një inventari që e kemi detajuar.
2. E dyta, kostoja që është e pamundur sot. Një serë me një investim kaq të rëndësishëm ku vetëm toka ka kushtuar 210 milionë lekë që mbillet me lakra se nuk përballohet kostoja e naftës është shëmbëlltyra e falimentimit jo për fajin tuaj që punoni këtu, por për faj të shtetit që e ka braktisur fshatin. Pra, ulja e kostos së prodhimit, duke ju mbështetur për naftën, për inputet dhe për makineritë bujqësore.
3. E treta, është garantimi i nxjerrjes së produkteve në treg, sepse këtu vijmë tek freza, vijmë te hedhja e produkteve. E, vijmë tek ajo që ndodh, që ju nuk i shisni dot, qyteti i blen shumë më shtrenjtë se i merr nga importi. Ne jemi të ekspozuar krejtësisht në pasiguri ushqimore. Ky është fakt dhe këto tre elementë ne do t’i trajtojmë krejtësisht ndryshe”, ka përfunduar angazhimin e tij kryesocialisti Rama.