English

Vetëvendosje po përleshet me policinë e Kosovës. Qeveria nuk e do Kosovën

Në Prishtinë po mbahen protesta në shenjë kundërshtimi me takimin që kryeministri Hashim Thaçi ka zhvilluar me homologun e tij serb, Ivica Daçiç dhe kundër bisedimeve të paralajmëruara me Serbinë, nga Lëvizja "Vetëvendosje" para Kuvendit dhe institucioneve të tjera qeveritare.

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë përleshur që më mëngjes me Policinë e Kosovës, deri sa këta të fundit kanë tentuar të futen në ndërtesën e Qeverisë. Njësia speciale e Policisë së Kosovës ka përdorur gazë lotsjellës për t’i zmbrapsur protestuesit, ndërsa ka arrestuar disa nga ta.
Protestuesit fillimisht hodhën domate e qumësht në drjetim të policisë, ndërkohë përdorën edhe mjete të forta – gurë e copa të tjera, që janë me bollëk në Sheshin në ndërtim “Ibrahim Rugova”, në drejtim të objekteve të Qeverisë e të Kuvendit. Policia, që ishte e pajisur me mjetet që zakonisht përdoren në rastet e pengimit të protestave, pasi ua tërhoqën vërejtjen që të largoheshin nga rrethojat e objekteve dhe refuzimit të urdhrit, përdorën gazin lotsjellës dhe u vunë në ndjekje të tyre deri afër Ministrisë së Kulturës.

Sipas mediave kosovare, policia arrestoi edhe kreun e Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti dhe deputetët Liburn Aliu dhe Xhelal Sveçla të cilët janë liruar më pas. Mësohet se deri tani, një polic ka mbetur i plagosur por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet kosovare.
Xhelal Sveçla nga Vetëvendosje, siç e citon KTV-ja, tha se kjo Qeveri nuk ia do të mirën Kosovës. Ai deklaroi se Vetëvendosje është kundër bisedimeve dhe nuk do të lejojnë që ato të ndodhin.

Policia ka larguar protestuesit nga afërsia e ndërtesave të institucioneve, ndërsa protesta po vazhdon në Sheshin Nëna Terezë.

KOMENTE