English

Enver Hoxhaj falënderon fondacionin “Friedrich Naumann Stiftung”

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me një delegacion të fondacionit gjerman “Friedrich Naumann Stiftung”, të kryesuar nga Drejtori Regjional, René Klaff.

Ministri Hoxhaj gjatë takimit ka falënderuar përfaqësuesit e këtij fondacioni, për ndihmën dhe kontributin që “Friedrich Naumann Stiftung” ka dhënë për Kosovën, me theks të veçantë në avancimin e kuadrove kosovare përmes krijimit të mundësive për ngritje të kapaciteteve akademike, jashtë vendit.

Hoxhaj njoftoi përfaqësuesit e fondacionit gjerman për progresin që po arrihet në Kosovë, në veçanti në avancimin e vazhdueshëm të proceseve integruese në Bashkimin Evropian.

Në këtë kontekst, Ministri Hoxhaj theksoi rëndësinë e ndihmës për Kosovën nga ky fondacion dhe organizata të tjera evropiane, të cilat me asistencën e tyre po e lehtësojnë rrugëtimin e Kosovës drejt proceseve euro-integruese si dhe po japin kontribut të çmuar në zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.

Në anën tjetër, Drejtori Regjional i “Friedrich Naumann Stiftung”, René Klaff, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke theksuar vazhdimin e mbështetjes së këtij fondacioni për Kosovën, përfshirë edhe ndihmën në rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese në Bashkimin Evropian.

“Friedrich Naumann Foundation”, është fondacion gjerman i cili promovon vlerat dhe parimet liberale të lirisë dhe demokracisë, përmes edukimit, dialogut politik ndërkombëtar dhe këshillave politike.

KOMENTE