English

Bashkia e Sofies do të ndihmojë dhe mbështesë Bashkinë e Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti dje në një takim të veçantë Kryeministrin bullgar Boyko Borisov dhe delegacionin që e shoqëronte, mes të cilëve edhe kryetaren e Bashkisë së Sofies, Jordanka Fandakova. Zoti Basha ka prezantuar prioritetet e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, siç është Plani i përgjithshëm Rregullues, i cili i mungon Tiranës që prej vitit 1989. Pjesë e këtij plani është dhe bulevardi i ri dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, projekti i detajuar i të cilit, i paraqitet Bashkisë së Tiranës muajin e ardhshëm.

Në bashkëpunim me BERZH ka nisur studimi i fizibilitetit dhe përgatitja e termave të referencës, për terminalin e ri multimodal të pasagjerëve, sikundër po studiohet mënyra e ndërtimit të linjës së tramit, të cilën Tirana nuk e patur asnjëherë. Në bashkëpunim me JICA janë drejt përfundimit projektet për kolektorët e ujrave të zeza dhe impiantin e përpunimit të tyre. Z. Basha ka nënvizuar bashkëpunimin shumë të mirë dhe ndihmën që i ka dhënë qeveria shqiptare, për realizimin e projekteve të rëndësishme, siç është ndërtimi i Unazës së Madhe apo zgjerimi i rrugës së Elbasanit, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë, në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të kryeqytetit.

Bashkia e Sofies do të ndihmojë dhe mbështesë Bashkinë e Tiranës, për projekte të rëndësishme të Tiranës, siç është ndërtimi i linjës së tramit, infrastruktura, kanalizimet e ujrave të zeza dhe trajtimi i tyre, menaxhimi i mbetjeve të ngurta, përmirësimi i trafikut etj. Kjo është sanksionuar edhe në marrëveshjen e nënshkruar mes Kreut të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe homologes së tij Jordanka Fandakova.

“Në këtë marrëveshje parashikojmë bashkëpunim në shumë fusha me interes të përbashkët, në veçanti për Tiranën, në fusha të tilla siç është infrastruktura, ku Sofia ka një përvojë të çmuar me përdorimin e fondeve evropiane, para aderimit dhe pas aderimit në BE, për ndërtimin e metrosë së Sofies, në fushën e tramvajit, ku ka po kështu një përvojë të mirë në menaxhimin e rrjetit ekzistues të tramvajit, në fusha të tjera të rëndësishme të infrastrukturës nëntokësore, kanalizimet e ujrave të zeza dhe trajtimi i tyre, trajtimin e mbetjeve të ngurta, ndërtimin e infrastrukturës, përmirësimin e trafikut, sfida të cilat Sofia i ka përballuar me sukses e me të cilat Tirana sot përballet dhe duke përfituar nga përvoja e mirë e Sofies, do i kalojë me sukses” – theksoi z. Basha.

Kryeministri bullgar, nisur nga eksperienca e tij si ish-Kryetar i Bashkisë së Sofies e ka konsideruar shumë të rëndësishëm për zhvillimin e qytetit, bashkëpunimin me qeverinë qendrore.

“Kur ka një sinkron mes pushtetit qëndror dhe atij vendor, i shërbehet më mirë qytetit dhe interesave të qytetarëve” - ka deklaruar Kryeministri Borisov, i cili më parë ka mbajtur postin e Kryetarit të Bashkisë së Sofies. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Kryetarja e Bashkisë së Sofies, Jordanka Fandakova, sipas së cilës, falë mbështetjes së qeverisë, Bullgaria dhe Sofia ka pësuar një transformim të madh.

“Në bisedën e sotme theksuam rëndësinë e partneritetit të mirë mes bashkisë dhe qeverisë së vendit, pasi ky partneritet është baza e suksesit të zhvillimit të kryeqytetit dhe realizimit të projekteve, edhe me mbështetjen e gjithë ministrive, në realizimin e projekteve në kryeqytetin e Bullgarisë. Bashkëpunimi ynë do të përfshijë fusha të infrastrukturës, transportit, mjedisit, patjetër edhe kulturën” – u shpreh znj. Fandakova.

Në kuadër të bashkëpunimit kulturor, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen e Tiranës, që në vitin 2019, Sofia të jetë kryeqyteti evropian i kulturës.

KOMENTE