English

Skemë e re subvencioni për fermerët dhe agropërpunimin

Viti i ardhshëm do të njohë aplikimin e një skeme të re subvencioni për fermerët dhe agropërpunimin.
Zëvendës ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka bërë me dije se tanimë baza ligjore për krijimin e shoqërive të bashkëpunimit dhe për skemën e re të subvencionit të tyre është gati. Zoti Ndoc Faslia ka bërë me dije për mediat se brenda pak javëve pritet plotësimi me aktet nënligjore i ligjit për kooperimin, çka dhe i hap rrugë formimit dhe ngritjes së shoqërive të bashkëpunimit. Zëvendës ministri i Bujqësisë ishte gjithashtu i pranishëm në një takim kombëtar ku morën pjesë dhjetëra fermerë nga i gjithë vendi. Në këtë takim zëvendës ministri Faslia sqaroi lehtësitë që do tu krijohen grupeve që janë të interesuara për bashkëpunuar.

“Qëllimi i takimit të sotshëm është që të promovojmë dhe nxisim iniciativat e kooperimit në sektorin bujqësor në Shqipëri. Bujqësia shqiptare karakterizohet përgjithësisht nga fermat e vogla, me sipërfaqe të vogël toke, shpesh herë dhe me nivel të ulët mekanizimi. Ajo çka vihet re është që dhe nivelet e kreditim it janë të limituara dhe përballë kësaj situatë ka një alternativet mirë, siç është kooperimi. Bashkëpunimi dhe bashkimi i fermerëve do të ishte një mundësi për të përballuar këto probleme. Kooperimi është një mundësi e mirë për të rritur prodhimin bujqësor është alternative për të përmirësuar standardet në prodhim. Është alternative e mirë për të marketuar prodhimin dhe për të siguruar tregje e për të qenë konkurrues”, – tha zëvendës ministri i Bujqësisë.

Në takimin kombëtar me temë “Mbështetje për Fuqizimin e Bujqësisë” u njoftua se ligji për kooperimin ka mbaruar dhe brenda pak javësh do të hyjë në fuqi. “Ne kemi përfunduar ligjin për kooperativat dhe po punohet për plotësimin me aktet nën ligjore dhe ne mendojmë që brenda këtij viti të mbyllim pjesën e sensibilizimit dhe informimit te fermerët për risitë dhe të mirat që ka kooperimi në bujqësi”, – tha zëvendës ministri Ndoc Faslia.

Ndërkohë, konkretizimi i kësaj skeme pritet të bëhet në muajt e parë të vitit që vjen, kur dhe do të nisin subvencionet për këto ferma. :Hapi i dytë i rëndësishëm është ai që do të ndërmerret në fillim të vitit që vjen me skema të veçanta mbështetjeje për të forcuar procesin e kooperimit dhe bashkëpunimit te fermerët, përpunuesit dhe agropërpunuesit. Konkretisht do të ketë iniciativa mbështetëse financuare si ato që ne aplikojmë për fermerët individualë sot. Skema si ato që aplikojmë prej 5-6 vitesh do të ketë dhe për kooperimin në prodhim dhe marketim. Natyrisht si fillim i këtij programi do të ketë për ato ferma që bashkëpunojnë për grumbullimin dhe standardizimin e prodhimeve. Grupi i dytë i kooperativave që do të mbështeten do të jetë për ato që kanë të bëjnë me sigurimin e inputeve bujqësore me çmime të leverdishme . së treti do të jetë në skemat e subvencionit ai grup i kooperativave që do të jetë i orientuar në mekanikën bujqësore, pasi synojmë të rrisimin nivelin e mekanizimit në bujqësi. Këto do të jenë prioritetet në këtë pjesë për vitin 2012”, – sqaroi zëvendës ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ndoc Faslia. Ligji për kooperimin shihet si një nevojë për bujqësinë shqiptare, pasi favorizon përshtatjen me tregjet dhe kërkesat aktuale të konsumit.

KOMENTE