Kryeministri Berisha garantoi sot, se në përputhje me ligjin, brenda vitit 2017 do të realizohet dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për këtë çështje, Kryeministri tha se qëndrimi ndaj tyre dhe dëmshpërblimi është një detyrim madhor, moral e ligjor, ndërsa e konsideroi grevën e urisë një “parodi të shëmtuar e një grupi të vogël njerëzish të inkriminuar”, qëllimi i të cilëve nuk kishte asnjë lidhje me kërkesat e drejta e të ndershme të ish të përndjekurve politikë, ndaj edhe nuk u mbështetën prej tyre.
Greva, nënvizoi Kryeministri, u shoqërua me akte të djegies së gjalli, si akte të mirëfillta terroriste, pikërisht në ditën, kur Komisioni Europian do të rekomandonte statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Duke siguruar se ndjek me shqetësimin më të madh çdo problem të qytetarëve dhe se mbetet i hapur për dialog konstant me qytetarët, në interesin më të mirë të zgjidhjes së problemeve, Kryeministri theksoi se “qeveria, në mënyrë kategorike, nuk mund të pranojë shantazhin e askujt”, por do të respektohet çdo formë paqësore e protestës. “Në një shoqëri, natyrisht, ka kundërshti, absolutisht ka padrejtësi, arbitraritet, por rruga e vetme e papranueshme për t’i kërkuar ato, është greva e urisë, sepse ajo merr një karakter tjetër, e vë qytetarin përballë ligjit.”
Kryeministri siguroi se procesi i dëmshpërblimit i ish të përndjekurve politikë do të vazhdojë sipas ligjit dhe informoi se do të zgjerohet baza e përfituesve, duke përfshirë edhe kategori të tjera, si tregtarët e dënuar nga regjimi komunist me akuzën e montuar të kontrabandës së floririt, etj..
“Qëndrimi ynë, - tha Kryeministri - është ndër më seriozët, bazuar në moralin dhe rivendosjen e të drejtës në këtë vend. Ai ka synim paqen sociale të shqiptareve.”
Kryeministri komentoi gjithashtu. taksën progresive të propozuar nga opozita. “Zoti Rama, - tha Kryeministri - u nxjerr shqiptarëve propozimet e dajës së tij [Spiro Koleka] të 40 viteve më parë, për taksën progresive, duke e paraqitur tani si taksë të rilindjes kombëtare.”