English

Blloku 61/1, në Njësinë Bashkiake nr. 4, do të ndryshojë tërësisht

Me një investim prej 18.6 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës do të realizojë rikualifikimin urban të Bllokut 61/1, në Njësinë Bashkiake nr. 4. Në këtë bllok i cili prej kohësh ndien mungesën, qoftë edhe të një metri katror gjelbërim, parashikohet realizimi i 2300 m2 sipërfaqe të gjelbëruar, vendosja e stolave për banorët si dhe kënde lojrash për fëmijët.

“Në këtë Bllok do të ndërhyhet në 16 pika të ndryshme, me një sipërfaqe totale prej 2300 metrash katrorë, të cilat do të gjelbërohen me pemë të larta, pemë dekorative të ulta, me ndriçim funksional dhe dekorativ. Do të ndërtohen 40 kënde pushimi dhe kënde lojrash për fëmijët e këtij Blloku, me një sipërfaqe totale prej 150 mijë metrash katrorë dhe që do u shërbejë mbi 8000 banorëve të qytetit të Tiranës. Fëmijët e zonës do të kenë para çdo pallati hapësira për të luajtur, afro 40 kënde lojrash; të moshuarit do të kenë afro 120 stola, për të shijuar gjelbërimin dhe aspektet e tjera të përmirësuara të cilësisë së jetës në këtë zonë si dhe sipas rastit, për tu kujdesur për nipërit e mbesat, pa qenë nevoja t’i marrin për dore dhe të lëvizin me dhjetëra kilometra, në drejtim të Parkut të Liqenit Artificial apo diku tjetër, pasi këto parametra shërbimi do të jenë të pranishëm këtu dhe kjo cilësi e re jete do të shijohet nga të gjithë banorët” - u shpreh kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.

Në projekt parashikohet të ndërtohet një fushë sporti multifunksionale dhe vendosja për herë të parë e dy kabinave info-point, shërbimi dixhital, për banorët e zonës, ku mund të marrin informacion mbi çështje e shërbime të ndryshme të Bashkisë, shërbime të ndryshme të qytetit të Tiranës, sikundër do të shërbejnë edhe si pika të transmetimit të valëve për internetin (wireless) dhe me tarifë zero shërbimi për rininë e kësaj zone. Përfundimi i këtij projekti, në 6 muajt e ardhshëm do të ofrojë një cilësi të re jete, për banorët e kësaj zone.

“Jam i lumtur që kjo ndodh në një zonë e cila prej kohësh ndien mungesën, qoftë edhe të një metri katror gjelbërim, ndërkohë që këto dy kosha basketbolli që u ndërtuan këtu, për fat të keq kanë degraduar dhe vetë koncepti se si u ndërtuan ka degraduar. Në gjashtë muajt e ardhshëm, me përfundimin e këtij rikualifikimi urban, banorët e zonës do të ndihen krenarë që janë banorë të kësaj zone dhe do të ndihen banorë të Tiranës, në mënyrë të padiskriminuar. Me këtë rast shpresoj se dhe ish-Kryetari do të kthehet për të bërë një ndeshje basketbolli të standartit të ri, të standartit evropian, në fushën e re të sportit që ne do të inagurojmë” – tha Kryebashkiaku Basha.

Ky investim do të përfshijë zonën tek shkolla “Gjon Buzuku”, zona mbrapa Ambulancës dhe gjithë pjesa e Porcelanit dhe Oxhakut, pra një Bllok banimi i cili është sot, më i madhi në Tiranë.

“Do të doja të falenderoja Kryetarin e Bashkisë për një premtim të mbajtur. Ky është një premtim i para një viti. Sot, ne po vijmë në një zonë totalisht të lënë pas dore. Ka 20 vjet që nuk është mbjellë një pemë. Kjo zonë kthehet në një nga zonat me standarte evropiane, Fëmijët do të kenë një vend ku të luajnë dhe jo në rrugë por në ato kënde sportive dhe në ato hapësira që janë për ta, kurse për moshën e tretë, hapësirat me stola do të jenë shumë të vlefshme dhe qetësuese për ta” - theksoi në fjalën e tij Kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 4, Hysen Xhura.

KOMENTE