Fryma e Re Demokratike zyrtarizoi sot në Pogradec degën e saj në këtë qytet. Mbështetës e simpatizantë të kësaj partie pritën në qytetin jug-lindor kreun e FRD-së Bamir Topi dhe anëtarë të tjerë të kryesisë.
“Fryma e Re demokratike lindi si nevojë për të parandaluar përqendrimin e pushteteve në një dorë të vetme – deklaroi në fjalën e tij Z. Topi - Në Shqipëri, mungon vetëm prokurori i përgjithshëm që të kompletojë këtë përqendrim pushtetesh, e tek ne nuk ekziston opozita që duhet të konfrontonte qeverinë, por, në vend që të luante rolin e opozitës, ajo i është bërë palë qeverisë “ – tha Topi.
Sipas tij, në vend ka një klimë terrori psikologjik, ku mes të tjerash, njerëzit kanë frikë se humbasin edhe vendin e punës, një fenomen që FRD e ndesh tek mbështetësit e saj në të gjithë Shqipërinë.
“Por, kemi konstatuar edhe se njerëzit çdo ditë, po e vrasin frikën, – vijoi Topi. – Po e vrasin sepse nuk e mbajnë dot më mbi supe të njëjtën klimë si në kohën e Ramiz Alisë”
FRD sjell një mënyrë të re politikë-bërje, jo me ulërima, jo sipërfaqësore, por qytetare, e vëmendshme dhe gjithëpërfshirëse në programin e saj.
‘Fryma e Re Demokratike synon të ri-sjellë në politikë standardet, dinjitetin dhe besimin qytetar tek shteti, institucionet dhe qeverisja” – theksoi kreu i FRD-së.
Ndërkaq, ai gjithashtu rikujtoi se deformimi i votës ngelet problematik për Shqipërinë, përderisa eksperienca e ka vërtetuar se me publikun, mund të manipulohet edhe përmes votës së presidentit, e si pasojë, edhe me atë të qytetarëve të thjeshtë.
FRD beson se këtij sistemi i ka ardhur fundi. Ndaj edhe deputeti Gazmend Oketa, e ritheksoi këtë nevojë në fjalën e tij:
“Na takon neve, FRD-së, të përgatisë e të japë një alternativë të re për qytetarët, e bashkë me ju që mbështesni FRD-në, të realizojmë me 22 vjet vonesë ëndrrën e shumëpritur, për hir të fëmijëve tanë”.
Zyrtarizmi i degës së Pogradecit u bë në vijimësinë e shtrirjes konstante që FRD po bën në të gjithë Shqipërinë. “Pikërisht kjo prezencë e shqetëson maxhorancën dhe presidentin, por jo qytetarin,- u shpreh Topi.- Ndaj, lënia jashtë konsultimeve presidenciale për datën e zgjedhjeve është vetëm tregues i fobisë që kanë këto dy institucione nga fuqizimi i FRD-së.