English

Ali Ahmeti pritet në takim nga kryeministri Berisha

Kryeministri Berisha ka pritur dje në një takim Kryetarin e BDI-së të Maqedonisë zotin Ali Ahmeti.

Kryeministri Berisha në takimin me Aliahmetin vlerësoi arritjet e rëndësishme që shqiptarët e Maqedonisë kanë shënuar gjatë gjithë kësaj periudhe në shumë fusha. Nga ana e tij Zoti Ali Ahmeti e falenderoi kryeministrin për pritjen dhe e ftoi për të marrë pjesë në koncertin e madh festiv, i cili do të zhvillohet me rastin e kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë në Shkup me 25 nëntor, duke theksuar se nderimi me pjesëmarrjen e tij është njëkohësisht dhe dëshira e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni.

Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Ali Ahmeti për këtë ftesë duke theksuar se, për të do të jetë një kënaqësi e veçantë që së bashku me gjithë shqiptarët e Maqedonisë të festojnë ngjarjen më të madhe në historinë e kombit. Në këtë kontekst kryeministri Berisha vlerësoi edhe njëherë përpjekjen, sakrificën, urtësinë dhe kontributin e burrave dhe grave më të shquar të kombit nga të gjitha trevat e tij, çka bënë të mundur kurorëzimin e përpjekjeve shekullore të kombit për liri, pavarësi e dinjitet më 28 nëntor 1912, pavarësisht se vetëm në një pjesë të territoreve që populloheshin nga shqiptarët.

Kryeministri Berisha gjithashtu shprehu vlerësimin e tij për përkujtimin dhe nderimin që qytetarët maqedonas po i bëjnë në këtë përvjetor të pavarësisë figurave të larta të kombit si Hasan Prishtina, Josif Bageri etj. Kryeministri ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e jashtëzakonshme të heqjes të të gjitha barrierave për të konsoliduar gjithnjë e më shumë lidhjet vëllazërore, kulturore e të gjithanshme nën moton “një komb i bashkuar në BE”, por edhe bashkëpunimin në të gjitha fushat në dobi të interesit më të mirë të tyre, paqes, bashkëpunimit e miqësisë në rajon.

KOMENTE