Kryeministri Berisha inspektoi paraditen e së shtunës, punimet për shpimin në pusin kërkimor Shpirag 2, në Berat, pusi më i thellë i hapur ndonjëherë në vend, me thellësi totale të llogaritur prej 6100 metrash.
Pusi, i cili përparon me një mesatare prej 40 metrash në ditë, aktualisht ka arritur në thellësinë e 4045 metrave. Ai është vepër e kompanive Petromanas Energy Inc. dhe Shell dhe ka një kosto totale shpimi dhe përfundimi mbi 35 milion dollarë. Së shpejti, ky investim do të shoqërohet edhe me fillimin e kërkimeve në pusin Juban 1.
Grupi i Petromanas - Royal Dutch Shell i mirënjohur në fushën e eksplorimit të naftës dhe gazit, ka investuar vetëm këtë vit në Shqipëri, rreth 50 milionë dollarë, ndërsa në dy vite të marra së bashku kjo vlerë arrin në mbi 80 milionë dollarë.
Në sheshin e shpimit të Shpirag 2, janë punësuar 100 punëtorë vendas dhe nëpërmjet bashkëpunimit të grupit Petromanas&Shell me kompani nënkontratore shqiptare janë punesuar edhe dhjetra punonjës te tjere. Ky grup i sukseshëm edhe në teknologjitë më të avancuara që përdor, e nis përdorimin e metodave te reja, me prurjen për herë te parë në Shqiperi, të sondës së fuqishme Rig T-46, nga firma KCA Deutag, e cila mund të shpojë deri në thellësinë 7500 metra.
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga drejtues të pushtetit lokal të Beratit, ministra e deputetë, Drejtuesi i Punimeve të kompanisë Petromanas Energy Inc, zoti Hamid Mozayani, përfaqësuesi i Shell International për Shqipërinë dhe Italinë, zoti Marco Brun, si dhe punonjës, teknikë e inxhinierë, pa nga afër punimet e kryera deri tani, si dhe sondën e shpimit. Kryeministri u interesua për ecurinë e tyre dhe përgëzoi ekipin e punës për realizimin, dy muaj para afatit të shpimit të pusit, në sajë të teknologjive më të zhvillura dhe bashkohore që po aplikohen.
Nga ana e tyre, investitorët e huaj dhe konkretisht drejtuesi i punimeve për kompaninë Petromanas Energy Inc u shpreh se aktiviteti i tyre në Shqipëri është mirëpritur nga shqiptarët, si dhe ka gjetur bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare dhe të autoriteteve lokale. Ai vlerësoi potencialet dhe lehtësitë që Shqipëria ofron në këtë drejtim, duke nisur aksesi i gatshëm ne tregjet kyçe të eksportit Europian, si dhe sistemi i themeluar i hidrokarbureve me fusha nafte te shumta, perfshire Patos-Marinzen, fushen me te madhe të naftes në tokë, ne Europen Perendimore.
Kryeministri falenderoi me mirënjohje dy kompanitë Petromanas dhe Shell që me prezencën e tyre në Shqipëri dëshmuan besim të madh, duke investuar në projekte kaq të rëndësishme për vendin. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri uroi që investimi në pusin e Shpiragut të shënojë njërën nga historitë më të mira të suksesit të përbashkët mes këtyre kompanive dhe qeverisë shqiptare.
Kryeministri garantoi përfaqësuesit e këtyre kompanive, por dhe të gjithë investitorët në tërësi se qeveria do të ndërmarrë në të ardhmen një seri masash të reja për të zgjeruar lirinë e biznesit dhe për të konsoliduar garancinë për biznesin dhe investimet.