English

Konferenca e 10-të Ndërkombëtare me temë “Politika monetare nga e shkuara në të ardhmen”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pasi ka përshëndetur pjesëmarrësit në Konferencën e 10-të Ndërkombëtare me temë “Politika monetare nga e shkuara në të ardhmen”, ka theksuar se konferenca e këtij viti është një ngjarje me rëndësi të veçantë pasi organizohet në kuadrin e aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe njëkohësisht përvjetorin e 20të Bankës së Shqipërisë. Duke ruajtur karakterin e vet shkencor, kjo konferencë i bën homazh përpjekjeve të bëra ndër vite në fushën e parasë dhe të financave.

Banka e Shqipërisë e vlerëson njohjen e të kaluarës si një nga elementët thelbësorë të analizës dhe vendimmarrjes, si një parakusht për çdo studim me karakter teorik apo empirik. Aktualisht, kjo është një domosdoshmëri, një sfidë me të cilën përballet bota e ekonomiksit.

Një studiues i suksesshëm për të skanuar, diagnostikuar dhe trajtuar gjendjen e ekonomisë do të duhej të ishte i aftë të lexonte mendimin njerëzor. Fatëkeqsisht, një doktor i tillë nuk egziston.

Prandaj, në kohët tona, shkenca ekonomike po kthen vëmendjen nga karakteristika individuale si: historia, etnografia dhe tipare të tjera kombëtare, duke i vlerësuar ato si përcaktuesit themelorë të procesit stokastik që udhëheq sjelljen e agjentëve në ekonomi.
Historia luan gjithashtu një rol mjaft të rëndësishëm në formimin e zhvillimin e institucioneve. Shpallja e pavarësisë krijon një epokë të re për institucionet e shtetit shqiptar. Pavarësia do t’i hapte rrugë, idesë së krijimit të një banke qendrore, një sistemi monetar shqiptar të unifikuar, e rrjedhimisht administrimit të jetës ekonomike përmes politikës monetare. Pavarësisht nga jeta e shkurtër, Banka e Kombëtare e krijuar nëvitin 1913 është një gurthemeli në historinë e Shtetit Shqiptar. Ja si e përshkruan kryeministri i kohës, Ismail Bej Vlora këtë akt: “E them me lavdërim se puna e Bankës për Shqipërinëështë një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike.”

Ngjarjet që pasuan shpalljen e pavarësisë, në aspektin kombëtar dhe ndërkombetar, kanë luajtur një rol vendimtar në natyrën dhe karakterin e këtyre institucioneve, duke përcaktuar njëkohesisht edhe natyrën e politikës monetare.

Partneritetet ekonomike e politike, dhe karizma e shtetarëve shqiptarë për të ndërtuar një shoqëri moderne krijuan bankën e parë kombëtare funksionale nëvitin 1925 duke i dhënë asaj edhe një fizionomi karakteristike me godinën e veçantë të vendosur në qender të Tiranës.

Zhvillimet historike të fillimit të viteve ‘90 u bënë përsëri përcaktuese për sistemin financiar e bankën qendrore. Depërtimi i koncepteve të ekonomiksit modern çoi në themelimin e Bankës së Shqipërisë si një bankë që gëzonte të gjitha atributet e një banke qendrore.

Evolimi institucional i saj, solli zhvillimin dhe modernizimin e politikave monetare e financiare. Ajo u bë gjithashtu një institucion i rëndësishëm për zhvillimin e sistemit financiar dhe ekonomik të vendit.

Sfidat e 20 viteve të fundit e kanë shndërruar Bankën qendrore nënjë institucion modern e të përgjegjshëm, me kredibilitet që gëzonbesueshmërinë e publikut, nënjë qendër të profesionalizmit, nënjë institucion që aplikon medodat më moderne të menaxhimit monetar, në qendrën e sistemit financiar.

Duke e njohur rolin vendimtar që teoritë moderne të rritjes ekonomike përcaktojnë për institucionet në prosperitetin e një kombi, e duke përfituar prej mbështetjes së klasës politike dhe besimit të shoqërisë shqiptare në keto 20 vite, ajo është përpjekur ta shndërrojë veten nënjë institucion modern, një entitet shtetëror dinjitoz në të gjitha dimensionet institucionale, morale, profesionale, etike e intelektuale.

Banka e Shqipërisë e vlerëson këtë si detyrë dhe një kontribut mjaft të rëndësishëm të formimit të shtetit dhe prosperitetit të tij në të ardhmen.

Përpjekjet e saj për modernizimin infrastrukturor e konceptual të institucionit, përfshirë projektet ndërtimore të tre viteve të fundit, janë domosdoshmëri për të garantuar standarde bashkëkohore të administrimit të veprimtarisë së institucionit, duke nënkuptuar shprehimisht përafrimin e shpejtë me të gjitha institucionet simotra evropiane. Me përfundimin e këtyre projekteve, Banka e Shqipërisë do të jetë më e hapur për publikun, i cili do të përfitojë prej politikave të edukimit financiar, aktivitetit shkencor, shërbimit biblotekar, aktivitetit legjislativ, aktiviteteve me karakter historik, muzeal e numizmatik. Këto risi do të ofrohen si të mira publike për të kontribuar me modesti në formimin e një shteti modern e të denjë për kombin shqiptar.

Aktualisht, përmbushja e këtyre detyrimeve është vështirësuar prej efekteve negative të krizës ekonomike botërore. Një nga aspektet më evidente të kësaj krize është fakti se tregjet e punës, tregjet e kapitalit dhe aktiviteti ekonomik, mbeten nën efektin e tkurrjes së konsumit e investimeve në sektorin privat.

Reagimi anemik i tregjeve i ka vendosur bankat qendrore përballënjë zgjidhjeje pa zgjedhje, të ndërhyjnënë ekonomi me të gjitha mënyrat për të adresuar emergjencat aktuale në kushtet kur faktorët e tjerë janë të detyruar të tkurren nëfavor të stabilitetit afatgjatë të bilanceve publike e private. Në këtë situatë, bankat qendrore janë detyruar të ndërmarrin një grup masash ekstreme cilësisht të ndryshme dhe të patestuara më parë, të cilat tejkalojnë të gjithë kufijtë e imagjinuar tëpolitikës monetare.

Aktualisht, politikanët janë detyruar të shmangin krizat e borxhit përmes një politike fiskale ekstreme që synon njëkohësisht ribalancimin afatshkurtër dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës fiskale. Fokusi dhe theksi i politikës ekonomike mbetet ribalancimi afatgjatë përmes shkurtimit të shpenzimeve. Një pjesë e rëndësishme e këtyre masave është shumë e fokusuar nga problematika afatshkurtër duke rrezikuar të lërë mënjanë efektet e padëshiruara në afatin e gjatë. Nën presionin e kostove sociale, filozofia e politikave sot është kapërcimi i situatës duke ruajtur paqen sociale dhe stabilitetin makroekonomik në kurriz të sovranitetit.

Ky kompromis emergjent e ka larguar fokusin nga reformat strukturore qënë fakt garantojnë ribalancimin përmes rritjes së të ardhurave. Këndvështrimi i politikave ekonomike shpesh nuk shtrihet përtej disa tremujorëve pasardhës, ndërkohë që duhet tëketë një vizion shumë afatgjatë. Ankorimi i të ardhmes fillon nga e sotmja.

Politikat stabilizuese aktualisht bazohen në eksperiencat e shkuara, duke besuar se kriza aktuale ngjan me krizat e mëparshme. Ky arsyetim i ka shtyrë autoritetet të këmbëngulin në riciklimin e masave stabilizuese. Por koha na tregon se ekonomia globale ka pësuar ndryshime rrënjësore. Kriza aktuale ndodh në kushtet kur harta ekonomike globale po ridizenjohet në terma të madhësisë ekonomike, shpërndarjes gjeografike të kursimeve, borxhit dhe bilanceve tregtare e atyre korrente. Ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim kanë këmbyer pozicionet në të gjitha këto dimensione.

Rrjedhimisht, recetat e vjetra nuk ofrojnë zgjidhje sepse aksiomatika mbi të cilën janë ngritur, ka ndryshuar. Zgjidhja e sfidave aktuale dhe atyre të së ardhmes kërkon një filozofi të re mendimi të bazuar në realitetin e ri global.

Ky realitet, globalizimi, nuk është mënjë zgjedhje, por një fakt që duhet mbajtur parasysh në formulimin e strategjive afatgjata të zhvillimit.

Duke u zhvendosur në një kontekst rajonal, mendoj se kjo filozofi që përshkrova më sipër duhet të mbështetet dhe përhapet pa asnjë hezitim. Për ta bërë atë më produktive, është e domosdoshme që të të hapemi më shumë ndaj njëri-tjetrit, duke i dhënë bashkëpunimit rajonal një dimension të ri.

Prosperiteti individual i ekonomive të rajonit kërkon nga të gjithë ne që të lëmë mënjanë filozofinë e konkurrencës të nxitur dhe të trashëguar nga përpjekjet shtetformuese dhe modelet sklerotike të zhvillimit që dominuan shekullin e kaluar. Ne duhet t’i hapim rrugën bashkëpunimit dhe bashkërendimit ekonomik dhe financiar.

Ne duhet të rrëzojmë barrierat ballkanike për të ngritur një infrastrukturë funksionale gjithëpërfshirëse, një sistem rajonal pagesash, një sistem rajonal energjitik, një treg rajonal produktesh financiare dhe së fundi, por ndoshta më e rëndësishmja, një treg rajonal faktorësh prodhimi. Siç thotë Martin Luther King “kemi ardhur të gjithë me varka të ndryshme, por tani jemi të gjithë në të njëjtën anije”.

Duke qëndruar edhe pak në temën rajonale do të doja të trajtoja shkurtimisht dhe një problem tjetër.

Eksperienca e vitit të fundit tregon se kërkesat rregullative për kapital të imponuara nga organizma të ndryshëm mbikëqyres të Eurozonës, u shoqëruan me reduktimin e pjesëmarrjes së grupeve bankare, jo vetëm në Eurozonë por edhe në rajonin tonë.

Ky proces, i njohur edhe si deleverage, ka sjellë pasoja negative. Për të shmangur ndodhitë e kësaj natyre, duhet një bashkëpunim më i madh midis politikëbërësve dhe mbikëqyrësve të ekonomive partnere.

Në këtë drejtim, Iniciativa e Vjenës është një platformë e mirë por e limituar bashkëpunimi. Kjo ndodh pasi, në konceptin e saj, Iniciativa e Vjenës është ngritur si një instrument për përballimin e një situate emergjente krize, ndërkohë që kërkesat e kohës janë për platforma dialogu të cilat mundësojnë një komunikim efektiv dhe të vazhdueshëm midis politikëbërësve. Minimalisht, ky dialog duhet të synojë shmangien e efekteve të padëshiruara reciproke, ndërkohë që një program më ambicioz do të synonte hartimin dhe zbatimin e nismave të koordinuara me interes reciprok.

Megjithatë, emergjencat potenciale të ardhura nga kontaminimi prej partnerëve tanë të Eurozonës, do të krijonin vështirësi shtesë duke krijuar kosto të mëdha efektive për ekonomitë e rajonit tonë.

Për këtë arsye, apelojmë për krijimin e mekanizmave dhe instrumenteve të përshtatshme të financimit me likuiditet nga ana e Bashkimit Evropian për vendet periferike të Eurozonës.

Besoj se procesi i integrimit financiar e bën edhe më emergjent këtë mbrojtje të përbashkët, nëpërmjet kuptimit të drejtë të fatit të lidhur të ekonomive të partnerëve tregtarë. Përfitoj nga prania në këtë konferencë e shumë prej drejtuesve të bankave qendore të rajonit për të kërkuar një qëndrim on block të bashkërenduar dhe koordinuar në këtë drejtim.

Të nderuar pjesëmarrës,

Përvoja e krizës së fundit tregoi se vendet të cilat kishin më shumë hapësirë për reagim, në formën e bilanceve më të shëndosha fiskale apo të sistemit financiar apo edhe në formën e institucioneve më të besueshme publike, ishin në gjendje të përballonin më mirë pasojat e krizës. Ky mësim nuk duhet të humbë nga vëmendja e secilit nga ne. Ndër të tjera, ai nënkupton marrjen në kohë të masave dhe, nëpërmjet ndjekjes së politikave kundër-ciklike, krijimin e hapësirave të nevojshme për zbutjen e goditjeve potenciale. Gjithashtu, ai nënkupton përpjekjet e vazhdueshme të politikave makro e mikroprudenciale për të minimizuar disbalancat financiare në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe të tregut financiar.

Këto politika, të cilat shpesh njihen edhe si “lëvizje kundër erës” ( leaning against the wind) kanë qenë dhe do të jenë pjesë e logjikës së veprimit të Bankës së Shqipërisë.

Në mbyllje të fjalës time dëshiroj t’ju siguroj edhe një herë se Banka e Shqipërisë do të bëjë përpjekjet maksimale për vazhdimin e historisë së suksesit edhe në dekadën e tretë të jetës së saj. Besoj se çështjet që ndava me ju ofrojnë një vizion të përmbledhur të disa drejtimeve kryesore të punës sonë gjatë kësaj periudhe. Duke shpresuar në një shkëmbim produktiv idesh dhe opinionesh gjatë vijimit të Konferencës,
Ju faleminderit për vëmendjen!

KOMENTE