Një hetim ka nisur nga tre prokuroritë e Tiranës, Romës dhe ajo e Catainias në Itali, lidhur me vdekjen e shtetasit italian 27 vjeçarit Luca O. i cili ka gjetur vdekjen në spitalin qëndron Nënë Tereza në Tiranë.
I riu italian një vit më parë ishte diagnostikuar me tumor në tru dhe mbasi kishte dëgjuar që mjeku Tullio Simoncini, një mjek italian, i cili pretendon se arrin të kurojë sëmundje të rënda duke përdorur sodë buke ishte transferuar në Tiranë ku ishte nën kurimin e këtij mjeku.
Ardhja në Tiranë u bë për arsye se në Itali kjo llooj terapie është e ndaluar dhe mjeku punonte në Shqipëri në një spital privat në Tiranë.
Mjeku italian është i bindur në terapinë që përdor se mund të kurojë kancerin duke përdorur sisteme paralele kurimi përmes terapive tradicionale siç i quan ai dhe në rastin e 27-vjeçarit, duke përdorur sodë buke, por ndërkohë emri i tij ishte i njohur në kronikat e zeza të lajmeve në Itali.
Ngjarja
Sikurse bëhet e ditur dhe në denoncimin që është depozituar në Prokurorinë e Tiranës, denoncim me të cilin po merret edhe Prokuroria e Romës, familjarëve u ishte thënë se nëpërmjet terapisë me bazë sodën e bukës, mundësitë e shpëtimit ishin 70 për qind, përballë një risku për trombozë dhe infeksion, prej rreth 2 për qind.
Pagesa për këtë kurë, ishte kërkuar me likuidim në dorë, shuma 20 mijë euro.
Pas shtatë injektimeve të para me sodë buke, thuhet në denoncimin e familjarëve të të ndjerit, Luca nisi të kishte dhimbje të tmerrshme koke që detyruan mjekun Simoncini që të pezullojë terapinë, e cila në fakt rifilloi dy ditë më pas.
Menjëherë pas infuzionit të terapisë së mbetur me bikarbonat (sodë buke), i riu u përfshi nga simptomat e njëjta të dy ditëve më parë, të cilat u rënduan duke u shoqëruar dhe me spazma muskulore.
Në atë pikë, një mjek shqiptar vendos në mënyrë autonome që t’i injektojë një valium. Kushtet shëndetësore të Luca precipituan dhe ai u transferua në spitalin “Nënë Tereza” (QSUT) ku dhe vdiq pas disa minutash.
Ndërsa avokati i familjes së 27 vjeçarit shprehet se kjo është nje terapi tërësisht absurde pasi nuk asnjë dëshmi që të bazohet shkencërisht, dhe aq më keq aplikohet te një i ri 27 vjeçar dhe kundrejt një pagese në dorë prej 20 mijë eurosh. Ne shpresojmë që hetimet e autoriteteve shqiptare të vazhdojnë në mënyrë paralele me Prokurorinë e Romës'', citon agjencia Ansa, Francesco Lauri.