Kryeministri Berisha përshëndeti sot konferencën me temë “Tregu dhe Infrastruktura Energjetike drejt Integrimit: Paketa e 3-të e BE-së për energjinë - Implikimet për zhvillimin e sektorit të Energjisë në Shqipëri”, të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe AIDA, me mbështetjen financiare të ambasadës norvegjeze, në Prishtinë.
Në këtë event merrnin pjesë Zëvendës/kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, zoti Edmond Haxhinasto, ambasadori i BE në vendin tonë Ettore Sequi, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, Braathu, drejtues të enteve energjetike të vendit, si dhe përfaqësues dhe investitorë të sektorit energjetik.
Kryeministri falënderoi organizatorët e kësaj konference të rëndësishme, dedikuar njërës prej çështjeve më themelore të tregut të energjisë, liberalizimit dhe rregullimit të mëtejshëm të tij si dhe përshtatjes së tregut shqiptar me direktivat e fundit, paketën 3 të tregut më të madh energjetik të botës që është tregu evropian.
Duke theksuar se për qeverinë dhe maxhorancën, energjia mbetet përparësia më madhore, Kryeministri vuri në dukje se investimet e viteve të fundit, në të gjitha fushat e këtij sektori i tejkalojnë 2 miliard euro. “Shqipëria ka një projekt të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjetike rajonale. Në përputhje me këtë projekt në këtë vend zhvillohet një nga garat më të ethshme në fushën e energjisë së rinovueshme të ndërtimit të HEC-ve. Vendi duhet të ndërtojë se ka potencial për të ndërtuar rreth 443 HEC.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri tha se në interesin më madhor të tregut energjetik, Shqipëria ndjek dhe do të ndjekë me vendosmëri rrugën e diversifikimit të këtij tregu, që do të thotë përdorimin e burimeve të tjera të mëdha për gjenerimin e energjisë elektrike. Duke iu referuar investimit më të fundit në pusin e Shpiragut 2, Kryeministri theksoi se vendi ka potenciale të pafundme dhe një perspektivë të madhe energjetike, e cila është e domosdoshme të vendoset në baza më liberale të një tregu të decentralizuar dhe të rregulluar.
“Paketa 3 e BE synon së pari garantimin e një konkurrence të ndershme si kushti më themelor për lirinë e këtij tregu, por mbrojtja e konsumatorit është dhe duhet të mbetet një qëllim tjetër madhor i kësaj pakete dhe i këtyre qëndrimeve, u shpreh kryeministri, i cili vijoi se “Mbrojtja më e mirë afatgjatë e konsumatorit është liberalizimi maksimal i tregut dhe ndezja e konkurrencës së lirë.”
Kryeministri u shpreh se qeveria do të qëndrojë e vendosur që të adaptojë çdo rregull në mënyrë që tregu i energjisë në Shqipëri të krijojë kushtet më të qëndrueshme të një konkurrencë të ndershme, për të qenë një segment i tregut evropian dhe ndofta segmenti më i hapur i tij.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha ka theksuar: "Për qeverinë dhe këtë maxhorancë, energjia mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Kushdo që hedh një vështrim në këtë sektor gjen se në një angazhim të madh në të gjitha fushat e këtij sektori investimet e viteve të fundit tejkalojnë 2 miliard euro. Shqipëria ka një projekt të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjetike rajonale. Në përputhje me këtë projekt në këtë vend zhvillohet një nga garat më të ethshme në fushën e energjisë së rinovueshme të ndërtimit të HEC-ve. Vendi duhet të ndërtojë se ka potencial për të ndërtuar rreth 443 HEC.
Për më shumë se 330 janë firmosur kontrata koncesionare me kompani nga mbarë bota. Vitin e ardhshëm në Shqipëri fillon ndërtimi i Hec-ve të Kaskadës së Devollit, ndofta investimi më i madh aktual në evropë, prej 1 miliard euro. Këtë vit përfundon investimi dhe ndërtimi përfundimtar i HEc të Ashtës, i icili përbën veprën më të rëndësishme me turbina matrix që ekziston në ndonjë vend tjetër, investim prej 200 milion euro. Kaskada të tjera në mbarë vendin janë në studim, janë në ndërtim e sipër. Shqipëria do të jetë brenda viteve që vijnë prodhues kryesor i energjisë së rinovueshme dhe eksportues të saj."