English

Shqipëri-Danimarkë. Investime reciproke

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e parlamentit te Danimarkës, zotin Mogens Lykketoft dhe delegacionin që e shoqëronte.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut tjetër të rëndësishëm, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Danimarkës. Zoti Lykketoft e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu atij vlerësimet më të larta për transformimin rrënjësor të ndodhur gjatë këtyre viteve në Shqipëri.

Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe vullneti i të dy palëve për ti konsoliduar edhe më tej ato dhe bashkëpunimin frytdhënës në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Kryeministri Berisha e falenderoi Kryetarin e Parlamentit të Danimarkës për mbështetjen e vazhdueshme dhe për ndihmën bujare që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe në të gjitha përpjekjet e saj për të konsoliduar demokracinë, shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut, si dhe anëtarësimin në NATO dhe integrimin e shpejtë në BE. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu Lykketoft me refomat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat si, zhvillimi ekonomik me ritme të shpejta, konsolidimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, modernizmi dhe dixhitalizmi i procedurave, etj. Kryeministri u shpreh se Shqipëria ka një sërë treguesish të rëndësishëm që e rendisin atë, krah vendeve të zhvilluar të Evropës, për sa i përket nivelit të ulët të vdekshmërisë, foshnjore, amtare dhe në tërësi, numrit të banesave për frymë, aksesit në shërbimit shëndetësor apo arsimor, etj.

Kryeministri Berisha e siguroi zotin Lykketoft për angazhimin e qeverisë shqiptare për të realizuar çdo reformë që Shqipëria të ecë përpara drejt anëtarësimit në BE, projektit më madhor për shqiptarët në këtë shekull.

Zoti Lykketoft i shprehu vlerësimin më të lartë Kryeministrit Berisha për të gjitha këto arritje, duke e siguruar atë, se Danimarka do të vijojë të jetë një përkrahëse dhe mbështetëse e fuqishme e projekteve të Shqipërisë për integrimin në BE. Në këtë kontekst, u shpreh zoti Lykketoft, Danimarka do të mbështesë çdo lloj propozimi pozitiv që KE do ti japë për hapa të mëtejshëm integrimit të Shqipërisë në BE.

Në takim u rikonfirmua gjithashtu vendosmëria e të dy vendeve për të nxitur investimet reciproke në veçanti, investitorët danezë për të shfrytëzuar potencialet e rëndësishme dhe klimën e favorshme të krijuar nga qeveria shqiptare për biznese dhe investime.

KOMENTE