Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë Lulzim Basha vlerëson mbështetjen që Ministria e Financave i dha sot propozimit për mbledhjen e taksës së biznesit të vogël nga administrata qendrore tatimore.
Në vijim të prononcimeve të mëparshme publike, z. Basha thekson se mbledhja e taksës së biznesit të vogël, nga administrata qendrore tatimore si dhe përcaktimi i një formule të re të shpërndarjes së të ardhurave për pushtetin vendor, përbëjnë një zgjidhje më të drejtë dhe efiçente për mirëadministrimin e mbledhjes së të ardhurave, luftën kundër informalitetit dhe përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit në vend.
Mbledhja e taksës së biznesit të vogël nga administrata qendrore tatimore, i jep fund dublimit të detyrave mes dy administratave dhe sjell një prani më të reduktuar të tatimorëve pranë biznesit të vogël dhe të mesëm. Kjo reformë u mundëson gjithashtu tatimorëve vendorë të fokusohen në prioritetet e qeverisjes vendore, të tilla si evidentimi dhe mbledhja e taksës së pronës dhe reklamave si dhe bashkërendimin e mbështetjen për organet qendrore tatimore për një vjelje sa më të drejtë të tatimit mbi të ardhurat personale, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi vlerën e shtuar etj.
Kjo reformë duhet të ketë si bashkëudhëtare edhe përcaktimin e një formule të re të bashkëndarjes së të ardhurave mes pushtetit qendror dhe vendor, e cila ndihmon në një ndarje më të drejtë të ardhurave midis njësive vendore, si dhe do të përbënte një garanci për ruajtjen dhe çuarjen përpara të nivelit të decentralizimit dhe autonomisë së pushtetit vendor në Shqipëri, veçanërisht në fushën e financave.