I dënuari tenton të arratiset nga burgu duke u futur në çantën e shokut të tij që kishte fituar lirinë dhe do të dilte nga burgu.
Ngjarja ka ndodhur në burgun 325 pranë zonës “Ali Demi”. Samet Adilaj, 18 vjeç, dhe Rajmond Kuldeda, janë dy autorët e krijimit të planit arratisës.
Samet Adilaj ishte duke vuajtur dënimin për kryerjen e veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve” me dy vjet burg, dhe i kishte mbetur dhe një kohë e shkurtër para se të fitonte lirinë. Por duke menduar se ishte i mitur gjykata vendosi që dënimin ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme.
Ndërkaq Kuldeda, ishte dënuar për veprën penale të vjedhjes dhe kishte fituar lirinë. Burimet bëjnë me dije se Rajmond Kuldeda do të dilte nga burgu, pasditen e së dielës, pasi sapo kishte përfunduar dënimin e dhënë nga organet e drejtësisë, për krimin e bërë kohë më parë. Por ai nuk mundi që ta fitojë atë, në sajë të një plani dështak, që kishte bërë me 18-vjeçarin, mikun e tij të qelisë. Burimet thonë se në momentin që Kuldeda do të dilte nga burgu, me vete kishte dy valixhe dhe një çantë duke pretenduar se tek ato kishte futur të gjitha sendet personale që kishte pasur në burg.
Gjatë kontrollit nga gardianët, rezultoi se në çantë, ishte futur 18-vjeçari. Menjëherë ata janë dërguar në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, ku dhe janë marrë në pyetje. Ata nuk e kanë pranuar fajin, duke thënë se ishte thjesht një shaka, e cila kishte si qëllim që të tërhiqte vëmendjen e gardianëve të burgut. Të dy personat që ngritën kurthin ndaj autoriteteve të burgut u arrestuan sërish dhe së shpejti pritet që të dalin para organit të akuzës për veprën penale të arratisjes nga burgu.