Edhe këtë vit Banka e Shqipërisë ka ofruar për gjimnazistët modulin me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja”, i cili është një nga lëndët me zgjedhje të lirë të kurrikulës mësimore të arsimit të mesëm, për vitin shkollor 2012-2013. Kjo lëndë është përzgjedhur nga 10 mijë gjimnazistë në të gjithë vendin, për të cilët libri ofrohet falas nga Banka e Shqipërisë.
Këtë vit, Shoqata Shqiptare e Bankave në kuadër të një bashkëpunimi të nisur me Bankën e Shqipërisë ka mundësuar printimin e 4.000 kopjeve të modulit “Financat personale në duar tuaja”. Gjithashtu, Shoqata Shqiptare e Bankave do të mundësojë zhvillimin e orëve praktike të nxënësve të shkollave të mesme që do të ndjekin modulin në degët e bankave tregtare në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Me këtë rast, u zhvillua një takim prezantues në ambientet e gjimnazit “Partizani”, si një ndër gjimnazet që ka shënuar numrin më të lartë të zgjedhjes së këtij moduli. Të pranishëm kanë qenë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani dhe kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z.Seyhan Pencabligil.
Gjatë këtij takimi, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë që mbart edukimi financiar i publikut, duke e konsideruar atë si një shtyllë të tretë të Bankës së Shqipërisë, po aq të rëndësishme si ajo e politikës monetare dhe e ruajtjes së stabilitetit financiar.
Guvernatori Fullani u shpreh se: “këtë vit, përveç trajnimeve për mësuesit, moduli ynë për financat personale vjen i shoqëruar dhe me një libër orientues me ushtrime në ndihmë të mësuesit, të cilët do të trajtojnë këtë modul”.
Gjithashtu, Guvernatori Fullani vlerësoi bashkëpunimin me Shoqatën Shqiptare të Bankave në fushën e edukimit financiar të publikut.
Teksti i modulit “Financat personale në duart tuaja”, është hartuar gjatë vitit 2010 nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Zhvillimit të Arsimit (IZHA) dhe mësues të lëndës së ekonomisë. Objektivi kryesor i këtij projekti ka qenë krijimi i një një teksti mësimor didaktik të përthithshëm nga grupmosha që i drejtohet dhe bazohet mbi realitetin financiar shqiptar. Duke filluar nga viti 2011, ky libër është shpërndarë dhe vazhdon të shpërndahet pa pagesë prej Bankës së Shqipërisë në të gjithë gjimnazet e vendit.