English

Hashim Thaçi i uron mirëseardhjen Clinton dhe Ashton

Fjalimi i Kryeministrit i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e përbashkët për media me Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Rodham Clinton dhe Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Catherine Ashton.

"Sot është një ditë e veçantë për Republikën e Kosovës, për qytetarët e saj dhe për mua personalisht. Jam i nderuar dhe që jam nikoqir i dy mikeve të mëdha të Kosovës dhe rajonit.

E nderuara Baronesha Ashton,
E nderuara Sekretare Clinton,

Mirë se keni ardhur në Republikën e Kosovës.

Para së gjithash, e nderuara sekretare Clinton, më lejo të shpreh ngushëllimet e mia dhe qytetarëve të Kosovës për jetët e humbura dhe pasojat tragjike të shkaktuara nga uragani. Lutemi për ta dhe jemi të bindur se SHBA-të do të rimëkëmben shpejt nga kjo goditje.

E nderuara Sekretare Clinton,
E nderuara Baroneshë Ashton,

Vetëm 13 vite më parë, Kosova ishte një vend tërësisht i rrënuar nga lufta, me mbi 1 milionë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, me mijëra të vrarë e të zhdukur, me shumë plagë.

13 vite më parë, e nderuara sekretare Clinton, ju vizituat qytetarët e mi në kampet e refugjatëve. Ato pamje janë të paharrueshme.

Sot i vizitoni në shtetin e tyre, në Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përjetësisht mirënjohës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, në mbështetjen e fuqishme, që i dhanë Kosovës në rrugëtimin tonë të gjatë për liri dhe pavarësi.

Përkundër progresit që e kemi shënuar bashkërisht në këto 13 vite liri dhe katër vite e gjysmë pavarësi, Kosova sot nuk është ende Kosova e ëndrrave tona. Po punojmë këmbëngulësisht për Kosovën evropiane, për Kosovën euro-atlantike.

Jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër.

Ende kemi shumë për të bërë për rend dhe ligj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar.

Ende pritet për t’u bërë shumë punë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë dhe përfshirjen më të fuqishme të komuniteteve pakicë në jetën institucionale dhe publike.

Ndonëse është shënuar sukses i jashtëzakonshëm në integrimin e qytetarëve serb në jug të vendit, sfidë mbetet gjendja në veri.

Unë jam kryeministër i gjithë qytetarëve, edhe qytetrarëve në veri të vendit, dhe ju konfirmoj se do t’ju shërbej të gjithëve.

Ne do të punojmë shumë në projektet zhvillimore atraktive për qytetarët tanë edhe në atë pjesë të vendit.

Do të vazhdojmë të zgjasim dorën e bashkëpunimit dhe të ofrojmë shërbime për të gjithë.

Por, përkundër vullnetit tonë, prania e strukturave ilegale të financuara nga Serbia, po e bën shumë të vështirë punën tonë atje.

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Unë e sigurova Baroneshën Ashton dhe Sekretaren Clinton që institucionet e Kosovës do të përmbushin të gjitha kriteret në mënyrë që të realizojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vizionin dhe qëllimin tonë, për t’u integruar si shtet i Kosovës sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Integrimi në Bashkim Evropian nuk ka alternativë.

E nderuara baroneshë Ashton,

Unë ju siguroj që Kosova do të prodhojë vazhdimisht argumente pozitive në mënyrë që edhe ju ta keni më të lehtë ta shtyni përpara agjendën evropiane për Kosovën.

U pajtuam bashkërisht me Sekretaren Clinton dhe Baroneshën Ashton që procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për evropianizimin e rajonit.

Kosova është e vendosur për këtë proces, por të jemi të qartë, ora e historisë nuk do të kthehet prapa.

Shteti i Kosovës po konsolidohet dhe po forcohet çdo ditë.

Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial dhe organizimi i saj i brendshëm shtetëror, janë fakte të njohura ndërkombëtarisht dhe të pa diskutueshme.

Por, ka shumë gjëra që janë në interes të të dyja vendeve dhe në dobi të qytetarëve të të dy shteteve.

Dialogu është rruga e vetme e integrimit në BE, është katalizatori vendimtar për suksesin e këtij procesi.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në interesin e Kosovës, është në interesin e Serbisë, është në interesin e rajonit, është në interesin e investimeve të fuqishme të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën euro-atlantike.

Prandaj, qytetarët pas hapjes së këtij kapitulli edhe në Kosovë, edhe në Serbi, edhe në rajon, janë më me shumë shpresë dhe me më shumë besim për të ardhmen zhvillimore euro-atlantike."

KOMENTE