English

Jahjaga: Kosova me ndihmën amerikane dhe aleatëve evropianë, po ndërton një të ardhme prosperuese

Sekretarja amerikane e Shtetit, zonja Hillary Clinton, i vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve të saj për të punuar në ndërtimin e një vendi të përparuar, gjithëpërfshirës dhe demokratik dhe theksoi mbështetjen për Kosovën në proceset integruese euroatlantike.

Sekretarja amerikane e Shtetit, zonja Hillary Clinton, vlerësoi lidershipin e Kosovës dhe në veçanti atë të Presidentes Jahjaga, për punën e bërë në përmbushjen e obligimeve në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Duke theksuar përkushtimin e udhëheqjes kosovare për thellimin e reformave dhe në vendosjen e sundimit të rendit dhe të ligjit, ajo tha se është shumë i rëndësishëm krijimi i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, nën drejtimin e Presidentes Jahjaga, dhe ofroi mbështetjen e SHBA-së për institucionet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe në përgjithësi në fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit. Sekretarja amerikane e shtetit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me misionin e BE-së për sundimin e ligjit – EULEX.

Sekretarja Clinton tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie të veçantë, që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe vlerësoi se me dialog Kosova përfiton shumë.

Sekretarja Clinton e përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën e saj në prezantimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, për rolin e saj si faktor uniteti i popullit të Kosovës dhe për punën e saj në avancimin e pozitës së gruas në shoqëri.

Ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ashton, e vlerësoi mbështetjen që Presidentja Jahjaga po i jep dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë që ka ai për rrugën evropiane të të dyja vendeve. Ajo tha se Kosova dhe Serbia e kanë perspektivën e qartë të integrimit në BE dhe të dyja vendet duhet të tregojnë përkushtimin e tyre në këtë rrugë përmes përmbushjes së kritereve dhe normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në këtë proces.

Baronesha Ashton theksoi se është me rëndësi thellimi i reformave dhe në veçanti përkushtimi në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, fillimisht, në emër të popullit të Kosovës, të institucioneve dhe në emrin e saj, i shprehu sekretares amerikane të Shtetit, zonjës Hillary Clinton, ngushëllimet për viktimat e stuhisë që goditi SHBA-në.

Duke i uruar zonjës Clinton dhe baroneshës Ashton mirëseardhje në Kosovë, Presidentja Jahjaga e vlerësoi vizitën e tyre si shumë domethënëse për vendin në një periudhë të rëndësishme për të.

Ajo tha se sekretarja Clinton, qeveria dhe populli amerikan së bashku me aleatët evropianë, të udhëhequr nga baronesha Ashton, po e ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e një të ardhmeje prosperuese dhe se do të mbeten pjesë e pandashme e historisë sonë.

Ajo theksoi përkushtimin e Kosovës për rrugën evropiane dhe për thellimin e reformave të brendshme. Presidentja Jahjaga theksoi se luftën kundër korrupsionit e ka prioritet të punës së saj, ndërkaq tha se është personalisht e përkushtuar që të krijojë një front unifikues për integrime evropiane, që të ndihmojë në ndërtimin e një konsensusi ndërpartiak dhe ndërinstitucional dhe një platforme të përbashkët për të zgjidhur çështjet kryesore që do të mundësojnë arritjen e qëllimit për anëtarësim në BE.

Duke theksuar se i është dhënë mbështetje dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Presidentja Jahjaga tha se dialogu është rruga e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe do të ndihmonte në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore si një prej parakushteve për anëtarësim në BE. Ajo tha se e mirëpret takimin ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve si një hap të rëndësishëm kah normalizimi i raporteve në mes tyre.

Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës ka dëshmuar kurajën e saj politike dhe vullnetin për t’u angazhuar në një dialog të mirëfilltë, ashtu siç është dëshmuar edhe gjatë dialogut në Bruksel dhe përmes zbatimit të marrëveshjeve të arritura. Ajo tha se ky vullnet nuk është dëshmuar nga Republika e Serbisë dhe theksoi se BE-ja duhet të vazhdojë të angazhohet më fuqishëm në garantimin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Presidentja Jahjaga theksoi se beson që ky proces të jetë i fokusuar, i kufizuar në kohë dhe do të prodhojë rezultate afatgjata si dhe do të jetë një proces që do të forcojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Ajo tha se e mirëpret garantimin e vazhdueshëm për integritetin territorial të Kosovës edhe kundërshtimin për çfarëdo ndarjeje etnike. Duke theksuar se këto parime po sfidohen nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Serbisë duhet të ndihmojë në shpërbërjen e tyre meqë ato po minojnë punën e përbashkët në stabilizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka ofertë të mirë për komunitetin serb dhe me integrimin e tyre në institucionet e Kosovës do të përfitojnë ata vetë. Ajo theksoi se gjatë vizitave në komuna të ndryshme të Kosovës i ka siguruar pjesëtarët e komunitetit serb se Kosova është vend i tyre dhe se të drejtat dhe trashëgimia e tyre kulturore e fetare janë të garantuara me ligje dhe me Kushtetutën e vendit.

Ajo tha se Kosova është një vend gjithëpërfshirës ku secilit komunitet dhe qytetar i është ofruar mundësia dhe qasja e barabartë.

Presidentja Jahjaga e falënderoi sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për mbështetjen e fuqishme për Samitin Ndërkombëtar të Gruas që u zhvillua në Prishtinë në fillim të muajit tetor, duke e cilësuar atë si një arritje të madhe për Kosovën dhe gjithë rajonin.

KOMENTE