English

Lëvizje të biznesit social, luftojnë varfërinë

“Problemet e varfërisë nuk mund të zgjidhen thjesht dhe vetëm me rritje të fondit të ndihmës ekonomike, pavarësisht nivelit të rritjes, apo reformimit të skemës së ndihmës ekonomike, e vetmja zgjidhje afatgjatë që sjell zbutjen e problemeve social-ekonomike është ngritja e nukleve ekonomike në zona veçanërisht të varfra, të cilat do mudësojnë punësimin dhe krijimin e të ardhurave për individët dhe familjet në vështirësi”, u shpreh zv/Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Kastriot Sulka, në një takim të zgjeruar me përfaqësues të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe drejtues të drejtorive politikëbërëse të Ministrisë, ku u diskutua rreth problematikave sociale që shqetësojnë kategori të veçanta të popullsisë në zona të ndryshme të vendit si varfëria, papunësia etj. dhe nevoja për identifikimin e ndërhyrjeve në kuadër të lëvizjes së biznesit social në Shqipëri.

“Shumë zona flenë mbi pasuri natyrore, të cilat vetëm për mungesë të inisiativave serioze për shfrytëzimin e tyre dhe krijimin e të ardhurave për banorët me problem social-ekonomike vazhdojnë të konsiderohen dhe të jenë zona të varfëra dhe papunësi të lartë”, deklaroi Sulka.

Zv/Ministri i Punës, u shpreh se qëllimi i politikave të Qeverisë është ulja e varfërisë absolute dhe zhdukja e varfërisë ekstreme, e cila mund të arrihet nëpërmjet nxitjes së inisiativave për ndëtimin e bizneseve të cilat kanë në qendër të tyre jo maksimizimin e fitimit, por zgjidhjen e problemeve social-ekonomike të grupeve vulnerabël .

Sipas z.Sulka nuk është qëllimi i Qeverisë të ngrejë disa biznese të reja që të punësojnë disa dhjetra apo edhe qindra vetë, por të ndërtojë një lëvizje të biznesit social që të tërheqë sa më shumë aktorë dhe faktorë, duke sjellë përmirësime të dukshme dhe të përhershme në jetën e një numri sa më të madh personash.

Zv/Ministri Sulka bëri një prezantim të fuksionimit të biznesit social, i cili edhe pse funskionon si biznes, qëllimin kryesor ka zgjidhjen në mënyrë të qendrueshme të një problemi social dhe çdo fitim riinvestohet për të zgjidhur problemin për të cilin është ngritur biznesi, ose një problem tjetër. Drejtori vendor i Biznesit Social Yunus, z.Shkelzen Marku, bëri një prezantim të lëvizjes së biznesit social në botë, duke sjellë edhe shembuj konkretë të bizneseve sociale, të cilat në vendet ku janë ngritur kanë sjellë ndryshime të mëdha, duke filluar nga rritja e të ardhurave për grupe në nevojë, në zgjidhjen e problem ekonomiko-sociale-shëndetësore në këto vende. Z.Marku theksoi se biznesi social është një kombim i misionit të biznesit me objektivat e shoqërisë civile për zgjidhjen e problemeve sociale. “Hapat që do të ndërmerren nga Biznesi Social Yunus në bashkëpunim me Shoqërinë “Nxitja e Biznesit Social” dhe Ministrinë e Punës, vuri në dukje z.Marku, është ngritja e inkubatorit të biznesit social që do të ofrojë asistencë, këshillim dhe orientim për bizneset sociale si dhe fondit mbështetës i cili do të ngrihet me dy burime kryesore: me fonde publike dhe donacione.”

Strukturat e Ministrisë së Punës, pjesëmarrëse në takim do të jenë pjesë e identifikimit të problematikave social-ekonomike kombëtare dhe rajonale dhe diskutimit të ideve për ngritjen dhe mbështetjne e bizneseve sociale në Shqipëri.

Nga data 31 tetor Biznesi Social Yunus do të prezantojë Levizjen e Biznesit Social në Shqipëri dhe do të lançojë një konkurs kombëtar të planeve të biznesit në qytetet universitare. Lançimi fillon në datën 31 tetor në Universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër, për të vazhduar në të gjitha universitete e vendit. Afati i fundit të dorëzimit të planeve të biznesit social do të jetë data 22 dhjetor 2012.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bashkëpunoi ngushtë me Gramen Creative TAB dhe krijoi të gjitha kushtet për formimin e Shoqërisë “Nxitja e Biznesit Social” dhe pak muaj më parë nënshkroi marrëveshjen për konkretizimin e projektit “Lëvizja gjithëpërfshirëse e Biznesit Social në Shqipëri”.

Një biznes social është një biznes, misioni i të cilit është trajtimi i një nevoje sociale apo mjedisore në një mënyrë financiarisht të qendrueshme. Kostot e tij mbulohen nga të ardhurat që ai nxjerr.

Koncepti i biznesit social ka lindur nga Prof. Muhammad Yunus, fituesi i Çmimit Nobel per Paqen ne vitin 2006. Prof. Yunus është Kryetari dhe pronari i kompanisë “Biznesi Social Yunus”.

Ka qenë inisiativa e Kryeministrit Berisha për të sjellë përvojën më të mirë Botërore për luftim e varfërisë, duke kontaktuar me nobelistin e njohur Prof.Muhamed Yunuss dhe kërkuar prej tij bashkëpunim me Qeverinë shqiptare për të zbatuar Lëvizjen gjithëpërfshirëse të Biznesit Social në Shqipëri.

KOMENTE