Zv.Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim një delegacion zyrtar nga Rajoni i Pulias, drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet Mesdhetare, z. Bernardo Notorangelo, në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka me këtë rajon.
Z. Haxhinasto falendëroi përfaqësuesit e rajonit të Pulias për bashkëpunimin e ngushtë ekonomik, midis këtij rajoni dhe Shqipërisë, dhe rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për t’i thelluar këto raporte në fusha të ndryshme.
Ministri shprehu kënaqësinë për suksesin e projekteve që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është duke zbatuar në fushën e Efiçencës së Energjisë, në kuadër të Programit IPA-Adriatik, ku Shqipëria dhe Pulia janë drejtuesit e Projektit Strategjik ALTERENERGY.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe mbi projektin e gazsjellësit TAP dhe rëndësinë strategjike që ka ai për Shqipërinë dhe Italinë, veçanërisht për Rajonin e Pulias.
Përfaqësuesit e Pulias rikonfirmuan z. Haxhinasto për rëndësinë që ka ky projekt për Italinë dhe për vetë Rajonin e Pulias, nga këndvështrimi i Sigurisë së Energjisë dhe dobitë ekonomike.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Rajonit të Pulias u shprehën se shohin tek Shqipëria një partner Strategjik dhe serioz, dhe se bashkëpunimi me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në projektet IPA të Bashkimit Evropian, janë një shembull suksesi.
Z. Notorangelo përcolli urimet më të mira nga Presidenti i Rajonit të Pulias, z. Niki Vendola, i cili ka ftuar z. Haxhinasto për një vizitë ne Pulia, për të shprehur bashkëpunimin dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Pulias.