English

Hillary Clinton përfundon vizitën në Tiranë. Interesat kombëtare janë përpara interesave partiake, politike

Sekretarja amerikane e shtetit ka përfunduar vizitën e saj në Tiranë dhe i është drejtuar përsëri aeroportit të Tiranës "Nënë Tereza".

Pas takimeve me krerët më të lartë të shtetit, Presidentin Nishani, më pas Krymeninistrin Berisha, pas fjalës në parlament si dhe takimi me kryetarin e opozitës Edi Rama, si dhe stafin e ambasadës amerikane, eskorta e saj i është drejtuar aeroportit, ku pritet që znj. Clinton të fluturojë në Zagreb.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton nisi sot vizitën e saj në Tiranë. Ajo mbërriti pak pas orës 10.30. Takimin e parë, zonja Clinton e pati me presidentin Bujar Nishani, i cili i akordoi asaj edhe një nga medaljet më të larta, atë të Urdhërit të Flamurit e cila i është dhënë më parë edhe ish presidentëve Bill Clinton dhe George W Bush.

Më pas sekretarja amerikane është takuar me kryeministrin Sali Berisha i cili edhe një herë i ka vënë në dukje asaj se “kjo vizitë është xhevahiri në kurorën e festimeve” që Shqipëria po organizon me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. "SHBA-të janë krenare që janë partnerët dhe miqtë e vendit tuaj në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe hapjes së ekonomisë. Ne ju urojmë për 100 vitet e para dhe konfirmojmë edhe bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e tjera", tha nga ana e saj zonja Clinton, në fillim të takimit me kryeministrin shqiptar.

Më pas ajo ka folur nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, kërkoi që zgjedhjet e vitit 2013 të jenë të hapura dhe të balancuara, me qëllim që populli të krijojë besim te liderët, si dhe Bashkimi Europian, ku Shqipëria kërkon të jetë pjesë, të marrë një mesazh të fortë.Clinton në deklaratën e saj të rëndësishme për vendin tonë, theksoi edhe nevojën për luftën ndaj korrupsionit, si dhe bashkëpunimin mes klasës politike.

“Unë e di sa të vështira janë zgjedhjet politike dhe vota politike. I bëj thirrje drejtuesve të Shqipërisë, por edhe qytetarëve që të punojnë për të krijuar zgjedhje të suksesshme. Interesat kombëtare janë përpara interesave partiake, politike”, u shpreh Clinton.

KOMENTE