English

Abonetë e shitura me apo pa karton shoqërues, janë të vlefshme brenda Bashkisë së Tiranës, në të gjithë linjat e transportit

Bashkia e Tiranës ka reaguar sot, lidhur me shqetësimet që disa operatorë të transportit urban u kanë krijuar qytetarëve që dispononin abone të pashoqëruar me karton. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës, Nereida Hoxha ka theksuar se të gjithë abonetë, me apo pa karton janë të vlefshme në të gjithë linjat e transportit, brenda Bashkisë së Tiranës. Znj. Hoxha ka paralajmëruar masa, deri në heqjen e licencës, për të gjithë operatorët që krijojnë shqetësime tek qytetarët.

“Bashkia e Tiranës dëshiron t’u bëjë me dije të gjithë qytetarëve, se të gjithë abonetë e shitura me apo pa karton shoqërues, janë të vlefshme për të udhëtuar në të gjithë linjat e transportit qytetas, brenda bashkisë së Tiranës. Në rast të çdo shqetësimi të krijuar ndaj qytetarëve që udhëtojnë me këto abone, Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë të gjithë masat administrative, në përputhje me kontratat e nënshkruara me këta operatorë, duke shkuar deri në ndërprerje të licencës.

Bashkia kërkon të informojë të gjithë qytetarët, që abonetë e emetuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë në përputhje me legjislacionin, të paisura me elementë sigurie, siç është shiriti i ndritshëm dhe shkrimi “Bashkia e Tiranës”. U bëj thirrje përsëri të gjithë operatorëve, që të mos krijojnë asnjë shqetësim për qytetarët që janë të pajisur me bileta të pajtimit mujor, me apo pa kartonin shoqërues”.

KOMENTE