English

Ministri Halimi falënderon ambasadën franceze për ndihmën në fushën e drejtësisë

Përfundimi me sukses i reformës në fushën e dixhitalimit të publikimeve zyrtare, në sistemin e noterisë si dhe rritja e bashkëpunimit dy palësh në drejtim të reformës në gjyqësor, ishin në qendër të bisedimeve të zhvilluara mes Ministrit të Drejtësisë, z. Eduard Halimi dhe Ambasadores së Francës, Shkëlqesisë e e Saj,zj. Christine Moro, të hënë në datën 29 tetor 2012.
Ministri i Drejtësisë, z.Eduard Halimi, falenderoi ambasadoren për ndihmën e çmuar dhënë për konkretizimin e një prej projekteve të rëndësishme atë të kthimit të Qëndrës së Publikimeve Zyrtare në një qëndër dixhitale aktesh si dhe për aplikimin e eksperiencës franceze në drejtim të krijimit të Regjistrit Elektronik të Noterëve.

Nga ana e saj, ambasadorja Moro shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e arritur në fushën e drejtësisë si dhe vuri në dijeni ministrin rreth disa aktiviteteve të ardhshme që do të zhvillohen nën kujdesin e ambasadës franceze, aktivitete të cilat synojnë të ndikojnë në mënyrë thelbësore në reformën e sistemit gjyqesor në vend,
Nga datat 13-14 nëntor në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës do të zhvillohet në Tiranë Konferenca Rajonale me temë “Zgjedhja dhe seleksionimi i Magjistratëve në Europën Juglindore. Shkëmbimi i praktikave më të mira në rajon.”
Në këtë konferencë do të ketë një pjesmarrje të gjerë nga Serbia, Rumania, Ukraina , Bosnjë Hercegovina, Moldavia, Kosova. Në konferencë do të marrin pjesë ekspertë francezë të fushës. Ministri i Drejtësisë do të mbajë fjalën e hapjes si dhe do të mbyllë këtë konferencë. Po këtë muaj një delegacion francez me ekspertët më të mirë të së drejtës do të realizojnë një sërë takimesh të nivelit zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë si dhe do të mbajnë një seminar mbi praktikat më të mira evropiane në fushën e të drejtave të njeriut.

Ministri Halimi e falenderoi ambasadoren për ndihmën e cmuar si dhe deklaroi se mbështetja për Shkollën e Magjistraturës, e ngritur sipas modelit francez të formimit të gjyqtarëve ka rritur performancën e sistemit të drejtësisë.
“ Me krijimin e kësaj shkolle si dhe me ndryshimet e duhura ligjore të bëra nga maxhoranca, kemi arritur që dera nga duhet të hyjnë gjyqtarët në sistem të jetë kjo shkollë. Mendoj se kemi bërë hapin e duhur për ta mbajtur sistemin larg ndikimit politik”- tha ministri Halimi .
Ministri e vuri në dijeni ambasadoren franceze edhe mbi disa projekte të reja që do të realizohen me qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe përmirësimit të eficenës së saj. Një projektligji i ri për administratën gjyqësore do të paraqitet së shpejti ndërkohë që po punohet për rritjen e performancës në drejtim të monitorimin e sistemit gjyqësor me qëllim që gjykatësit devijant të përballen me ndëshkimin e ligjit.
Ambasadorja Moro nga ana e saj shprehu gatishmërinë për të mbështetur ministrin Halimi në sfidën e tij për reformimin e sistemit të drejtësisë duke theksuar se realizimi me sukses i saj e bën Shqipërinë një partner të besueshem për të sotmen dhe të ardhmen.

KOMENTE